Prej 4 ditësh mijëra qytetarë shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Kakavijës dhe radha e makinave është bërë kilometrike.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një intervitë për Neës24 ka thënë se të gjitha makinat që janë në radhë nuk do të mund të kalojnë ditën e sotme, por u ka bërë thirrje qutetarëve që nuk janë afër pikës doganore që të kthehen në shtëpitë e tyre.
“I bëjmë thirrje që duhet të kthehen. Të gjitha këto makina nuk mund të kalojnë dot sot. Rruga e kthimit është e lirë, kush e shikon që nuk rri dot të kthehet. U jemi gjendur pranë me ujë dhe ushqime, ky është maksimumi që mund të bëjmë”, tha Xhaçka.
E pyetur nëse është e mundur që një pjesë e tamponave të bëhen nga pala shqiptare, ajo u shpreh se ky propozim është bërë, por pala greke nuk ka pranuar, kështu që qeveria shqiptare po mundohet të mbajë nën presion palën greke në mënyrë që puna të vijojë me ritme më të larta.
“Jemi në kushte shumë të pazakonta, nuk mund të sillemi sikur s’ka ndodhur gjë. E mirëkuptoj që njerëzit kanë urgjenca dhe punë, por duhet t’i ushtrohen disa rregullave që janë marrë nga pala tjetër. Ne mundohemi ta mbajmë palën greke sadopak nën presion që ritmet e punës të jenë të larta.
Autoritetet greke nuk pranojnë që një pjesë e tamponëve të bëhet nga pala shqiptare. e kemi bërë si kërkesë por nuk e kanë pranuar”, u shpreh ministrja ndër të tjera.