Nata e sotme, duke zbardhur e diela (3 dhjetor 2017) ka qenë një nga më të vështirat e gjithë këtyre ditëve me mot të jashtëzakonshëm që ka përfshirë pothuajse gjithë territorin e Shqipërisë. Një mot që në vend ta zbusë situatën dhe të na bëjë të besojmë se më e keqja ka filluar të ikë, po na tregon se vërtetë nuk paskemi parë gjë akoma.
Shirërat dhe erërat kanë vijuar duke u rikthyer me intensistet maksimal jo vetëm në territorin e zonave më të prekura në fundjavë në jug të vendit si në qarqet e Fierit, Beratit, Vlorës, Tepelenës, Gjirokastrës, Elbasanit dhe Korçës, por edhe në Tiranë e Durrës dhe Lezhës e më në veri e verilindje të vendit.
Ministria e Mbrojtjes thotë se është duke ndjekur me vëmendje të shtuar situatën në hidrovorin e Darëzezës ku 40 efektivë janë në gadishmëri që të mos ketë probleme të daljes jashtë kontrollit, pasi është një ndër pikat më shqetesuese aktualisht në terren. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se argjinatura aty po përforcohet dhe se po bëjnë gjithçka është e mundur për të menaxhuar situatën në rast emergjence. “Jemi pranë çdo familje dhe individi që u rrezikohet jeta dhe prona dhe po bëjmë gjithçka që hidrovori i Darëzezës të mos dalë jashte kontrollit”,- tha Xhaçka.
Janë marrë masat për sigurinë e 400 familjeve në Darëzezë,- shtoi ajo.
Mbrëmë Shtabi qendror i emergjencave kombëtare deklaroi se situata është e përmirësuar. Ndërkohë u tërhoq vëmendja se situata në orët në vijim pritet të rëndohet. Nga ana tjetër Presidenti i Republikes Ilir Meta deklaroi se situata do të përkeqësohet ndaj duhen marë masat që të mos ketë probleme sidomos në jetët njerëzore dhe me pas edhe për pronën.
Alpenews.al