Avokati dhe politikani Spartak Ngjela e quan turp kombëtar faktin që në Gjykatën e Lartë kemi një gjykatës të dënuar për vjedhje në Itali.
Ngjela i referohej rastit të gjyqtarit Admir Thanza të cilit Vettingu i zbuloi një dënim të padeklaruar në Itali për vjedhje në një supermarket.
“Nuk ka asnjë shtet në botë anëtar të Gjykatës së Lartë të dënuar për vjedhje. E shikoni çfarë ka bërë Saliu dhe Nishani? Nuk ka të thuash nuk e dija. Është turp i madh, turp kombëtar. Ndodhemi në pozicionin historik për t’u shkëputur nga korrupsioni. Këta janë të gjithë hajdutë. “-tha Ngjela.
“Ekzistenca e Sali Berishës solli Edi Ramën në politikë”. I këtij mendimi është Spartak Ngjela, i cili shton se nëse do kishte pushtet gjyqësor të pavarur në vitin 1992, ish-kryeministri Sali Berisha nuk do ishte pjesë e politikës sot.
“Po të kishte pushtet gjyqësor Saliu nuk dilte as në ’92, as Rama nuk dilte në politikë po të kishte pushtet gjyqësor. Ekzistenca e Saliut solli Ramën në politikë. Po këtu si duhet të bëhet goditja? Majtas. Goditja penale duhet të fillojë majtas. Ta dinë mirë. Këta janë në pushtet, ose njëkohësisht. Edhe kjo tezë ka dalë nga Bonaparti i cili ishte i majtë, ishte në reformë dhe goditjen e nisi majtas”-shprehet Ngjela.
Spartak Ngjela nuk e sheh të lehtë rrugëtimin e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike. Ai thotë se PD duhet të riformulohet djathtas, ndërsa shton se Basha duhet t’i shpëtojë SPAK-ut në mënyrë që të vijojë të jetë në PD.
“PD duhet të rikonstruktohet me figurat e veta të djathta. PD-ja do riformulohet djathtas, se s’është tani parti e djathtë. Lulzim Basha që të jetë pjesë e PD duhet t’i shpëtojë SPAK-ut, Rruga e Kombit nuk është mbyllur, çështja është e hapur. Ke kaluar ndonjëherë te Rruga e Kombit? ka kthesa sepse kanë vjedhur urat, kanë bërë një autostradë gjarpërushe. Janë 215 mln euro të vjedhura.”-tha Ngjela


