Pavarësisht shpalljes së një armëpushimi nga presidenti sirian Ahmed Al-Sharaa, situata në jug të Sirisë mbetet e tensionuar. Në qytetin e Sweidas, përplasjet mes fiseve druze dhe atyre beduine kanë vijuar me intensitet, duke e kthyer zonën në një skenë përleshjesh të armatosura në rrugë.
Fiset beduine, të cilat janë bashkuar me qëllimin e deklaruar të “fitores në luftë”, kanë paralajmëruar përballje të drejtpërdrejtë me druzët, të cilët akuzohen se gëzojnë mbështetjen e Izraelit. “Do t’i ndjekim deri në shtëpitë e tyre,” u shpreh njëri prej luftëtarëve beduinë në një video të shpërndarë në rrjete sociale, duke kërcënuar me eskalim të mëtejshëm të dhunës.
Prej 13 korrikut, dhuna ka përfshirë zona të gjera të Sweidas, ku luftëtarë nga pjesë të tjera të vendit janë mbledhur për të mbështetur njërën apo tjetrën palë. Sipas organizatave të monitorimit të konfliktit, numri i viktimave ka shkuar në të paktën 940.


