Familja Çelaj në fshatin Ngraçan të Fierit ka hapur dyert e mortit. Djali i tyre Indrit Çelaj u vra me plumb në kokë në vilën tre katëshe ku kishte shkuar për të instaluar një kondicioner.
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit . Kjo është fatkeqësie madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi” të thotë Baftjari, babai i Indritit.
Tregon se vdekjen e djalit e mori vesh nga media.
“Kjo është fakteqësi e madhe. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët. Cuni është vrarë ne 11 paradite une e mora vesh në orën 19:00 në darkë. Rrallë gjen djalë si ai , nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Sikur të kisha fuqi nuk dija se ca mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua…” ka thënë ndër të tjera babai i Indrit Çelaj.
Mes dhimbjes babai ka dhe një pyetje që autoritetet duhet të japim përgjigje: “Ku do kërkoj drejtësi?”
Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicionerësh u vra dje në mesditë në vilën ku kishte shkuar për të instaluar një kondicioner. Policia ka shpallur në kërkim dy djemtë e pronarit të vilës.