Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka gati draft-ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i treti ky në harkun e tre viteve që mbërrin në filtrat e qeverisë. Kompanitë e sigurimit shprehen se ky draft nuk i zgjidh problematikat që ka sot tregu, edhe pse sistemi bonus-malus dhe dematerializimi i policës cilësohen pozitive. E ndërsa secila palë vë në peshore interesat e saj, sa mbrohet konsumatori?
Në fund të vitit 2017, volumi i primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimeve regjistroi vlerën 16.1 miliardë lekë me një rritje 5.38% në raport me një vit më parë. Pesha kryesore mbahet nga sigurimi motorik, i cili për vitin e kaluar mban 67% të volumit total të primeve, duke e bërë portofolin tërësisht të varur nga kjo pjesë, ashtu sikurse ka qenë tradicionalisht ndër vite, sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Por, pavarësisht rritjes së qëndrueshme të këtij tregu në intervalet mbi 5%, amullia ka qenë pjesë e pandarë e tij, e theksuar në periudhën e parë post-liberalizim në vitin 2011 dhe e zbehur, por jo e munguar në vitet e fundit. Tregu i sigurimeve mbetet ende modest në raport me shumë sektorë në vend, për nga volumi i qarkullimit, por për nga interesi publik, renditet tek ata me ndjeshmëri më të lartë. Përpjekjet për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe rregullator nuk kanë munguar, por në asnjë rast nuk kanë shterur hapësirat që, në disa raste shkarkohen me pasoja negative në kurriz të qytetarëve.
Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri të ditur se ka depozituar pranë Ministrisë për Financat dhe Ekonominë një draft që lidhet me pjesën më problematike të tregut të sigurimeve, projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Përpjekjet për të miratuar këtë draft kanë nisur qysh nga viti 2015, por në asnjërin prej rasteve nuk është kaluar filtri i Financave, të cilat e kanë kthyer për rishikim. AMF ka argumentuar se drafti sjell një seri risish dhe synon të zgjidhë problematikat më emergjente që hasen sot, të qendërzuara kryesisht, tek Byroja e Sigurimit dhe Fondi i Kompensimit, por jo vetëm.
Kompanitë e sigurimit nuk duken shumë të kënaqura me draftin, duke argumentuar pikat që ato mendojnë se nuk sjellin ndonjë ndikim pozitiv. Pikëpyetja më e madhe në këtë rast është: Po konsumatorit sa i shërben ky projektligj? A është ky një ligj pro-konsumator? Përpara se të jepet përgjigje duhet që në peshore të vendosen ato që drafti i ri i paraqet më mirë se i vjetri dhe ato që në fakt mund të konsiderohen si një hap pas.
Çfarë bën më mirë drafti i ri në raport me ligjin aktual?
Risia më e lakuar e draft-ligjit të ri është sistemi bonus-malus. Ky sistem është propozuar edhe më herët në drafte të tjera, por asnjëherë nuk është zbatuar. Ndaj për tregun, risi do të jetë nëse këtë herë do të ketë vullnet për t’u zbatuar dhe jo për t’u sanksionuar në ligj, nëse ky draft arrin të kalojë të gjitha hallkat e miratimit. Por çfarë përfaqëson bonus-malus? Ky sistem ka dy aspekte.
Së pari, secili paguan primin e sigurimit sipas riskut që paraqet dhe së dyti, edukon konsumatorin për sjellje më të përgjegjshme në drejtimin e automjetit. Sistemi u lakua edhe në një draft të mëhershëm të AMF-së, ku u dhanë edhe detaje mbi shkallët që do të përfshinte, por tashmë modeli i saktë do të përcaktohet me rregullore të re. Bonusi përfaqëson një çmim më të lirë për konsumatorin që nuk regjistron aksidente për një periudhë të caktuar të marrë në vlerësim.
Përgjithësisht modelet më tipike parashikojnë maksimalisht pagesën deri në 50% të vlerës së primit në rastet kur drejtuesi i mjetit ka një historik të pastër nga aksidentet dhe dyfishin e primit fillestar, nëse kalon tek shkalla e fundit (malusi). Pra çdo konsumator do të paguajë çmimin që meriton, sipas sjelljes në drejtimin e mjetit dhe riskut që përfaqëson. Kjo vlerësohet nga ekspertët pozitive, pasi vendos për herë të parë një raport të drejtë prim-risk.
Projektligji gjithashtu qartëson pjesën që lidhet me ngjarjet e sigurimit që mbulohen nga TPL-ja dhe gamën e trajtimit. Afatet për dëmshpërblimin janë shkurtuar, një tentativë kjo në favor të konsumatorit por pavarësisht kësaj, ekspertët vlerësojnë se mungon stimuli i mjaftueshëm për të nxitur respektimin e tij.
AMF, ashtu si edhe më herët, sanksionon në draft-ligj se, për çdo vonesë të dëmshpërblimit pas afatit të caktuar të aplikohet një interes që duhet thënë se është në vlera modeste. Kjo praktikë, me një ngarkesë kaq të vogël interesi, sipas ekspertëve nuk ka arritur në dhënien e stimulit të mjaftueshëm për të ndërgjegjësuar kompanitë e sigurimit të tregohen të shpejta. Në shumë raste, këto të fundit preferojnë të zvarrisin çështjet nëpër gjykata, pikërisht sepse në krye të disa viteve kostoja që rrezikon të paguajë është minimale kurse dhimbja e kokës që i është shkaktuar qytetarit, jo dhe aq. Nëse për referencë do të ishin marrë shembuj të vendeve të tjera ku interesat shkojnë 10-15%, ndoshta nxitja për kompanitë do të ishte më e madhe.
Po kështu, ligji bën një tentativë për të rritur masat administrative ndaj kompanive, Byrosë dhe Entit në rastet kur ka shkelje apo moszbatim të detyrimeve nga të gjitha palët. Kjo në disa raste mund të shkojë deri në pezullim apo revokim të licencës.
Ndryshimet
Projektligji i ri rrit nivelin e limiteve të përgjegjësisë dhe kjo, në pamje të parë, është pozitive, por ngërçi lidhet me përcaktimin e qartë të figurave të dëmit, shpjegojnë ekspertët. Lënia evazive e këtyre figurave, sipas tyre, mund të shkaktojë efektin e kundërt, diçka që tregu shqiptar e vuan sot me zvarritjen e çështjeve në gjykata.
Precedentët kanë treguar se aty ku ka hapësira për interpretim, konsumatori është i pari që preket. Paqartësia mbi figurat dhe vlerat që secili individ i prekur duhet të përfitojë në rast aksidenti, në asnjë rast nuk sjell përfitim të drejtë.
Së dyti, ekspertët vlerësojnë se nuk ka një zgjidhje përfundimtare për mekanizmin e Fondit të Kompensimit, sidomos për dëmet që i përkasin deficitit të krijuar në vite, ku shifrat përsëri kanë qenë të raportuara në rritje, siç u vu re dhe në raportimin e fundit në Kuvend nga AMF. Kjo situatë është pasojë e mosrespektimit të kuadrit ligjor nga operatorët e tregut përgjatë një dekade nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, tregon që AMF nuk ka arritur imponimin e zbatimit të ligjit.
Projektligji bën një përpjekje për ta zgjidhur përmes një pike problemin e deficitit për të ardhmen, ku thuhet se operatorët e rinj nuk kanë detyrime për vitet kur nuk kanë qenë në treg, por nuk saktëson pjesën që lidhet me ndarjen e detyrimeve për operatorët ekzistues, kur ndryshon struktura e tregut. Konkretisht, në Komisionin e Ekonomisë, AMF raportoi se numri i automjeteve që paguajnë taksat dhe nuk kanë sigurim është diku tek 3%, ndërkohë që fondi i kompensimit nuk duket sikur është në zvogëlim, përkundrazi shifrat e raportuara flasin për një situatë të paqartë për shëndetin e ardhshëm financiar të këtij tregu.
Parimisht, në projektligj, zgjidhja e ngërçit me Fondin e Kompensimit duket sikur vjen me krijimin e një institucioni të ri, që e ndan Fondin e Kompensimit nga Byroja e Sigurimit, duke i lënë asaj vetëm marrëdhënien për kartonin jeshil dhe fondin e garancisë dhe krijon Entin që do të trajtojë Fondin e Kompensimit. Por kompetencat që transferohen nga Byroja tek Enti nuk ezaurohen tërësisht përmes ligjit, duke e komplikuar mënyrën sesi do të procedohet nesër me çështjet që janë në shkallë të ndryshme të trajtimit apo gjykimit.
Lënia e paqartësisë për mekanizmat e zgjidhjes së ngërçit të Fondit, i cili aktualisht është minus qindra milionë lekë, përveçse bllokon institucionet në një rreth vicioz, shkarkon problematikën reale tek qytetarët, të cilët do të sorollaten më shumë për të përfituar dëmshpërblimin, shpjegojnë ekspertët. Konsumatori nuk do të informohet më shumë në lidhje me atë se çfarë ndodh në Byronë Shqiptare të Sigurimit apo Entin e Fondit të Kompensimit.
Ekspertët vlerësojnë se projektligji nuk është se i jep AMF-së ndonjë mekanizëm apo detyrim shtesë në lidhje me raportimin për ecurinë e punës së këtyre dy institucioneve, me përjashtim të atyre ekzistuese. AMF, nga ana tjetër, nuk e ka më “fuqinë” për të caktuar masën që duhet të japin kompanitë e sigurimit për Fondin e Kompensimit pas propozimit të Entit në këtë rast.
A ka zgjidhje praktike që i “lehtësojnë” jetën qytetarit
Ekspertët e konsultuar nga Monitor, pohojnë se projektligjit i mungojnë gjithashtu ndryshime të vogla që mund të kishin lehtësuar qytetarët, zgjidhje praktike që, në shumë raste, marrin orë të tëra sorollatje nëpër zyrat e kompanive. Për shembull, ligji fut konceptin europian të aksidenteve ku për vlerën deri 30 mijë lekë të dëmit nuk ka nevojë për raport nga policia. Por ama nuk përfshin elementin tjetër që, kur dy palët e përfshira në aksident bien dakord dhe njohin dëmin e shkaktuar, pavarësisht vlerës, nevoja për raportin e Policisë është vetëm burokraci. Sigurisht edhe kjo nuk mund të lihet pa limit.
Për t’u ndalur sërish tek raporti i policisë, ligji përcakton se duhet të merret një raport nga ky institucion, por nuk ka mekanizma që e detyrojnë këtë institucion që të të lëshojë këtë raport. Nuk përcaktohet as ku merret raporti dhe as se kush e lëshon saktësisht. Mjafton një gërvishtje makine për të kuptuar kalvarin që do të duhet të kalosh, duke u përcjellë nga zyra në zyrë për një raport që ligji nuk e përcakton saktë dhe as detyron institucionin të ta lëshojë.
Ekspertët thonë se nuk janë përfshirë elemente moderne të zgjidhjes së ngërçit në rastin e një aksidenti. Konsumatorit i duhen 30 ditë të presë për të marrë paratë në llogari për të kryer më pas ndërhyrjen në makinën e aksidentuar, ndërkohë që mund të ofrohej opsioni i zgjidhjes së menjëhershme përmes një ofiçine të përzgjedhur dhe më pas, marrëdhënia e kompanisë vijon me ofiçinën. Disa kompani e ofrojnë sot këtë në mënyrë vullnetare, por ligji nuk e detyron atë për këtë lehtësi.
Ashtu sikurse ligji nuk detyron kompanitë që të kenë një numër të gjelbër apo një call center që të të përgjigjet në kohë, në momentin kur ndodh një aksident. Ligji ka saktësuar që, nëse dëmi është deri në 30 mijë lekë, s’ka nevojë për raportin e policisë. Në një situatë hipotetike, nëse aksidenti ndodh gjatë natës, cili do të jetë mekanizmi që do të detyrojë kompaninë të më përgjigjet për të vlerësuar dëmin dhe më pas, nëse është e nevojshme, të lajmërohet policia? Nuk ka asnjë mekanizëm të tillë.
Po kështu, në ndihmë të konsumatorit ishte edhe vendosja e një rregulli që, për një aksident të ndodhur, pagesa e dëmit tërhiqet pranë kompanisë ku qytetari është i siguruar dhe më pas të jenë vetë kompanitë ato që rregullojnë marrëdhënien mes tyre. Të gjitha këto e shumë aspekte të tjera nuk janë risi për tregun, në disa raste edhe janë përcaktuar në kuadrin ekzistues. Ajo që nuk ka qenë e mundur të bëhet ka qenë imponimi i institucionit mbikëqyrës për të zgjidhur ngërçet.
Ligji, gjithashtu saktëson se çdo qytetar që shet automjetin përfiton një pjesë të primit të policës mbrapsht sipas një formule të përcaktuar, që ka në zë vlerën totale të primit dhe kohën për të cilën ajo është e vlefshme dhe nga kjo del koha për të cilën polica është përdorur. Nëse kjo do të ishte trajtuar në një pikë me bonus-malus, do të ishte në funksion të saj dhe shumë më efikase, ndërkohë që e trajtuar më vete sipas ekspertëve mund të jetë një dhimbje koke më shumë, pasi nuk shpjegohet afati kur do t’i kthehen paratë qytetarit, si do procedohet apo elemente të tjera shtesë.
Ekspertët pohojnë se sot ka nevojë për një Ombudsman (avokat), i cili të mbrojë gjerësisht interesat e konsumatorëve në këtë treg. Me ligj “avokati” i vetëm duhet të jetë zbatimi i drejtë i ligjit dhe imponimi në treg i AMF, por, deri më sot, duket se ligjet janë zbatuar pjesërisht duke peshuar në kahun e dëmit ndaj konsumatorit. E duke qenë se nuk është gjetur zgjidhje as nga ligjet e mira, as nga institucionet, nuk do të ishte e pavend një hallkë që do të fokusohej vetëm te mbrojtja e interesave të qytetarëve të thjeshtë, zëri i të cilëve humbet sorollatjeve nëpër gjykata, kompani dhe zyra përmbarimi.
Vlerësuesit e dëmeve: Ja çfarë do t’i shërbente mbrojtjes së konsumatorit
Projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” vjen me një panoramë jo të qartë të asaj që do të rregullojë në treg, për aq kohë sa nuk është i shoqëruar me projekt-rregulloret që do të saktësojnë zbatimin. Pikërisht mungesa e kuadrit të plotë e bën pak të mjegullt situatën dhe nuk mund të jepet një mendim i saktë se çfarë do të sjellë kjo për tregun, kompanitë, konsumatorët dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë. Artur Zhegu, vlerësues dëmesh, tha për “Monitor” se është pozitive përfshirja e fitimit të munguar në pjesën e dëmit pasuror, por edhe hyrja e sistemit bonus-malus. Nga ana tjetër, ka një kthim pas në dëm të konsumatorit lidhur me një specifikim te dëmi jopasuror.
“Në draft-ligj në ‘Dëmin jopasuror’ është kufizuar dëmshpërblimi në ‘familjarët e tij’ ndërsa te ligji në fuqi ka qenë ‘të afërmit e të dëmtuarit’”, – shprehet ai. Ai nënvizon se ka një rritje të kufirit të dëmshpërblimit që mund të shihet si pozitiv, por ky projektligj nuk është ende i shoqëruar me një projekt-rregullore hartimi të dëmshpërblimit dhe dokumentacion tjetër shtesë. Ai nënvizon se është thelbësore që të hartohet një projekt-rregullore, e cila do të jetë në mbrojtje të konsumatorit, e cila duhet të ketë në thelb disa pika.
Së pari, hartimi i një mënyre unike për llogaritjen e dëmit ndaj pronës, e cila të zbatohet nga të gjitha shoqëritë bazuar në: katalogun Quattro ruote, për pjesët e këmbimit, si dhe atë për orët e punës. “Vlera e orës së punës së specialistit të servisit të nxirret nga një grup i krijuar nga AMF, pasi të ketë marrë ofertat e koncesionarëve dhe të disa serviseve të licencuara. Kjo vlerë do të jetë unike për çdo shoqëri sigurimi për t’u zbatuar. Në rast riparimi mjeti në servise të licencuara, të bëhet pagesa, duke përfshirë edhe TVSH-në. Sanksionimi që shoqëritë e sigurimit të detyrojnë të siguruarit përfitues të dëmshpërblimit të bëjnë riparimin e mjetit në rast dëmshpërblimi në servise dhe jo pagesë pa kryer riparimin, pasi në shumë raste me rimbursim nuk kryhen riparimet, duke bërë që mjeti të jetë në qarkullim me të meta teknike”, – nënvizon Zhegu.
Ai thekson se është me vend që të gjitha shoqëritë të nënshkruajnë një marrëveshje për të trajtuar secila klientin e saj, pavarësisht se përgjegjës për dëmshpërblimin është një shoqëri tjetër. Kjo bëhet më e lehtë, pasi të gjitha kanë një rregullore të përbashkët llogaritje dëmshpërblimi. Po kështu, eksperti Zhegu nënvizon se ndoshta neni 10, pika 4 e draft- ligjit që lidhet me procedurat dhe afatet e dëmshpërblimit duhet të riformulohet në funksion të saktësimit dhe lehtësimit të procesit për konsumatorin.
“Të riformulohet: Shoqëria e sigurimit do të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar në këtë nen, palës së dëmtuar i lind e drejta e përfitimit të interesit të pagueshëm për çdo ditë vonesë, në shlyerjen e dëmshpërblimit nga shoqëria e sigurimin në masën 0.05% të vlerës së dëmshpërblimit”, vlerëson ai. Po kështu është edhe një tjetër pikë që mund të rishihet në funksion të lehtësimit të qytetarëve, sipas vlerësuesit Zhegu. “Aktualisht sot, i dëmtuari, pavarësisht se nuk është fajtor në aksident, detyrohet të paraqitet në Inspektoratin Rrugor për tërheqje dokumentacioni, duke paguar një shumë. Kjo shumë të mos paguhet nga i dëmtuari, por të paguhet nga shkaktari i aksidentit”, – nënvizon ai.