Mediat greke kanë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të shqiptarëve që u kapën dje në gomonet në ujërat greke. E ndërsa fillimisht u raportuan se ishin dy shqiptarët që ishin prangosur dhe personi i tretë ishte italian, mediat greke sqarojnë se të tre trafikantët e arrestuar janë nga Shqipëria, ndërsa identiteti i tyre ende nuk dihet.
Rezistenca e shqiptarëve mori fund pasi u ndoqën dhe u rrethuan nga anijet greke dhe të FRONTEX në detin Egje së bashku me një helikopter. Në momentin që u rrethuan skafistët u dorëzuan duke ngritur duart. Pas arrestimit gomonia është dërguar për kontroll të imtësishëm nga autoritetet greke.
“Dyshohet për grup trafikantësh që çojnë hashash në Turqi dhe e shkëmbejnë me heroinë. Drejtoria kundër narkotikëve në policinë greke ka pasur informacion për dy gomone që do niseshin nga Shqipëria për të çuar hashash në Turqi ku do të merrnin heroinë. Dyshohet se nga gomonia e kapur është hedhur heroinë në det gjatë ndjekjes pasi hashashin ka arritur të shkarkojë në brigjet turke” shkruan Kathimerini, media greke.


