Autoritetet italiane deportuan dje një 41- vjeçar shqiptar, që ishte dënuar atje për vrasje dhe vjedhje, por pas verifikimeve, rezultoi se ai ishte person në kërkim.
Policia tha dje se bëhet fjalë për shtetasin Agron Lleshaj nga Mamurrasi, i cili ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Kurbinit me 18 vjet heqje lirie, për vjedhje me pasojë vdekjen, të kryer në bashkëpunim.
Deri dy ditë më parë, ai kishte arritur të fshihte identitetin e tij të vërtetë duke përdorur dokumente të falsifikuara, me emrin Kristian Deda. Deri në momentin e zbritjes në Aeroportin e Rinasit, autoritetet italiane që kryen deportimin nuk ishin në dijeni të faktit se personi, që kishte kryer atje 17 vjet burg për vrasje, ishte në kërkim edhe në Shqipëri. Gjithçka u zbulua gjatë verifikimit të dokumentacionit nga ana e efektivëve të Policisë Kufitare në Rinas.
Policia zbuloi identitetin e tij të vërtetë, madje, edhe një urdhër ndalimi ndërkombëtar, pasi ishte person i dënuar në mungesë për një ngjarje të rëndë të ndodhur afro 18 vjet më parë. Sipas vendimit të Gjykatës së Kurbinit, ai është deklaruar fajtor për vrasjen e shtetasit G.G., gjatë një grabitjeje me armë, të kryer në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në rrugën që lidh Tiranën me Laçin.
ARRESTIMI
Policia e Shtetit tha dje se në Aeroportin e Rinasit është arrestuar një shtetas, i shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen”, me identitet të dyfishtë. Më datë 18 janar, nga Policia italiane është kthyer deportiv shtetasi Kristian Deda, 41 vjeç, i cili kishte vuajtur dënimin atje, me 17 vite burgim për vrasjen e një shtetasi italian.
Gjatë intervistimit në Rinas, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas kanë krijuar dyshime për gjeneralitetet e këtij shtetasi. Pas një hetimi që zgjati rreth 4 orë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Rinasit në bashkëpunim me kolegët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin kanë arritur të zbulojnë identitetin e dytë dhe të vërtetë të këtij shtetasi të depërtuar. Bëhej fjalë për Agron Lleshajn, 41 vjeç, banues në Mamurras.
Ky person ishte i dënuar në mungesë nga Gjykata e Kurbin, me vendimin e datës 16 janar 2001, me 18 vite burg. Shtetasi Agron Lleshaj iu dorëzua Komisariatit të Policisë Kurbin për veprime të mëtejshme procedurale. Oficerët e Krimeve të Komisariatit të Kurbinit kanë bërë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për këtë shtetas, për veprat penale të “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake” dhe të “Armëmbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë”.
Si ndodhi vrasja gjatë grabitjes, në vitin 2000
Shtetasi që u arrestua mbrëmjen e së enjtes në Aeroportin e Rinasit, Agron Lleshaj, 41 vjeç, ishte dënuar në mungesë 17 vjet më parë nga Gjykata e Kurbinit, për një vjedhje me pasojë vdekjen. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi ishte deklaruar fajtor dhe dënuar me 18 vjet heqje lirie.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet, ka ndodhur më 9 prill të vitit 2000, në vendin e quajtur Ura e Drojës, në aksin nacional Tiranë – Laç. Sipas vendimit të Gjykatës së Kurbinit, Agron Lleshaj në bashkëpunim me shtetasin me iniciale G.D., ishin përgatitur për të realizuar një grabitje. Të maskuar dhe të armatosur, ata i kanë dalë para një automjeti, që drejtohej nga shtetasi G.G., me qëllim për ta grabitur.
Pasi e kanë kërcënuar me armë zjarri, drejtuesi i mjetit nuk u është bindur dhe ka tentuar të lëvizë me makinën e tij. Por në këtë moment, autorët kanë qëlluar me armë zjarri duke e plagosur rëndë. Shtetasi me iniciale G.G. nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve dhe ka ndërruar jetë pak momente më vonë.
Që nga ai moment, Agron Lleshaj ishte arratisur dhe kishte ndryshuar identitetin në Kristian Deda. Ndërsa një vit më vonë, ai u arrestua në Itali për vrasjen e një shtetasi italian duke u dënuar me 17 vjet burg.
/panorama


