Në vazhdën e njoftimeve për rastin e të shtënave me armë të 38-vjeçarit ndaj forcave të Policisë në plazhin e Radhimës ka reaguar edhe Policia e Vlorës e cila shprehet se:
I arrestuari me inicialet G.GJ, shtetas shqiptar, banues në Vlorë përveç armës së zjarrit ka patur me vete edhe një mjet prerës që ka tentuar ta përdorë gjatë kundërshtimit që u ka bërë bluve të Vlorës.
Mësohet gjithashtu nga burimet e Policisë se 38-vjeçari ka marrë një plagë nga efektivët në këmbë nga qitja me armë që kanë kryer blutë e Vlorës.
Të shtënat me armë zjarri kanë terrorizuar banorët e zonës dhe turistët në Radhimë pasditen e sotme.
Ngjarja ka ndodhur pranë një hoteli në zonën e Radhimës, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se një person ka qëlluar ndaj policisë.
Deri tani nuk raportohet për persona të plagosur. Kjo është herë e dytë në pak javë që ngjarje të tilla sjellin frikë dhe panik te turistët në jug, pasi në Dhërmi në datë 8 qershor pati disa të shtëna me armë në një disko, pas një sherri mes disa personave.
NJOFTIMI I POLICISË
I kërkuari ka rezistuar duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë.
Efektivi në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar duke e goditur me armë një herë në këmbë.
Shtetasi G.Gj. është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
38 vjeçari ishte shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale ”Plagosje e rëndë me dashje”, ”Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe ”Armëmbajtje pa leje”.
Vijon puna nën mbikqyrjen e Prokurorisë Vlorë dhe SHÇBA-së, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shtetit në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, po ushtron kontrolle të shumta në të gjitha zonat me risk për evidentimin dhe kapjen e personave me precedentë që janë aktualisht në territorin e vendit apo që mund të vijnë gjatë verës nga rradhët e emigrantëve.
Këto kontrolle janë shtrirë dhe po vijojnë me forca e shërbime shtesë të policisë kriminale dhe agjentë civilë, për të garantuar një ambjet të qetë dhe të sigurt në qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Lezha e Shkodra.
/AlpeNews.al


