Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë duke transportuar një sasi lënde narkotike. Mediat në Francë shkruajnë se shqiptari u kap dy ditë më parë në qytetin Amiens duke udhëtuar me makinën tip “Peugeot 306”, brenda së cilës u gjetën 3 kilogramë kanabis. Ai është Aleksandër Bajramaj dhe sipas autoriteteve, ai do të kishte përfituar 30 mijë Euro nëse drogën do ta kishte shitur në tregun e pakicës.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot, Bajramaj pretendoi para Gjykatës se nuk e dinte që në makinë kishte lëndë narkotike. Pas provave të Prokurorisë, ai pranoi se një person tjetër i kishte kërkuar që të transportonte kanabisin kundrejt një shume prej 200 Euro. Rezulton se Aleksandër Bajramaj është edhe azilkërkues në Francë.
“Në Shqipëri kisha probleme me njerëzit”, tha 26-vjeçari në Gjykatë. Kërkesa e parë për azil ju refuzua. “Do të aplikoj për herë të dytë, e kam këtë të drejtë. Në të kundërt, do të shikoj opsionin e martesës”, shtoi Bajramaj.


