Gazetarja shqiptare e “Financial Times” rikthen traumën e ’97: Shqipëria ra pre e kapitalizmit pa e kuptuar
Gazetarja me origjinë shqiptare Ortenca Aliaj, redaktore për bankat në Financial Times, ka rikthyer në vëmendje një nga plagët më të mëdha të tranzicionit shqiptar: skemat piramidale të viteve 1996-1997, që shkatërruan kursimet e qindra mijëra qytetarëve dhe e çuan vendin në prag të luftës civile.
Në episodin “Financial scams that brought Albania to the brink of war” të podkastit The Story of Money, Aliaj, së bashku me gazetarin Robin Wigglesworth, analizon se si Shqipëria e sapodalë nga komunizmi, e varfër, pa institucione financiare funksionale dhe pa përvojë me ekonominë e tregut, u kthye në terren ideal për mashtrimet më të mëdha financiare në Evropën postkomuniste.
Aliaj, e lindur dhe rritur në Shqipëri, e përshkruan rënien e komunizmit si një moment çlirimi, por edhe si një tronditje të madhe shoqërore. Sipas saj, hapja e vendit pas dekadash izolimi ishte “sikur dikush të ndezë dritat”, ndërsa shqiptarët u përballën menjëherë me një realitet ekonomik që nuk e njihnin.
Ajo thotë se në fillim të viteve ’90 nuk kishte pothuajse asnjë kulturë financiare në vend. “Shumica dërrmuese ishin thjesht nën iluzionin se kështu funksionon kapitalizmi”, shprehet Aliaj, duke shpjeguar pse premtimet për fitime marramendëse u besuan kaq lehtë nga qytetarët.
Në episod, gazetarja kujton se pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria kishte tre banka shtetërore, por ato nuk kryenin funksionet bazë të një sistemi bankar normal. Sipas saj, këto banka “ishin të tmerrshme”, pasi nuk pranonin depozita dhe nuk jepnin hua. Kjo krijoi hapësirën për atë që më pas u shndërrua në një sektor bankar informal dhe të parregulluar.
Kompanitë piramidale, si Vefa, Gjallica apo skema të tjera që u përhapën me shpejtësi, fituan besimin e qytetarëve sepse disa prej tyre nisën si biznese reale, me hotele, media, supermarkete apo aktivitete tregtare. Por më pas, sipas Aliajt, gara për interesa gjithnjë e më të larta i ktheu ato në një flluskë gjigante financiare.
Ajo thekson se qytetarët nuk u mashtruan thjesht nga lakmia, por edhe nga dëshpërimi, varfëria dhe dëshira për të besuar se më në fund po hynin në një botë normale. Shqiptarët panë fqinjët, kushërinjtë apo të afërmit që dyfishonin paratë dhe u përfshinë nga frika se po humbnin mundësinë e vetme për të dalë nga varfëria.
Aliaj rrëfen se shumë familje shitën prona, morën borxhe apo investuan kursimet e emigrantëve, me shpresën se paratë do të shumëfishoheshin. Por kur skemat u shembën, pasojat nuk ishin vetëm ekonomike. Humbja e kursimeve u kthye në revoltë, institucionet u shpërbënë, depot e armëve u plaçkitën dhe vendi hyri në kaos.
Duke folur për pasojat afatgjata, Aliaj thotë se një nga plagët më të mëdha ishte ikja e trurit. Sipas saj, Shqipëria humbi shumë të rinj të talentuar, të cilët u larguan jashtë vendit për një jetë më të sigurt dhe më të mirë.
Në fund, gazetarja e Financial Times e lidh këtë histori edhe me mësime për të sotmen. Ajo paralajmëron për rreziqet e sektorëve financiarë të parregulluar, që premtojnë fitime të shpejta dhe operojnë jashtë vëmendjes së shtetit. Sipas saj, përvoja shqiptare tregon se “terapia e shokut nuk funksionon realisht”, sidomos kur një shoqëri e pambrojtur hidhet menjëherë në treg pa institucione, pa rregulla dhe pa mbrojtje.


