Rastet më të shumta janë nga Siria dhe Afganistani.
Të dhënat zyrtare flasin se numri i azilkërkuesve në Shqipëri ka ardhur në rritje dy vitet e e fundit.
Sipas të dhënave të saponjoftuara nga Instituti shqiptar i Statistikave në vitin 2016 rezultojnë 240 persona që kanë kërkuar azil në Shqipëri, shifër kjo e cila ka pësuar rritje me 126% krahasuar me vitin 2015.
Të dhëna të përafërta rritjeje rezultojnë edhe gjatë vitit 2017 në numrin e kërkesave të refugjatëve që janë paraqitur në Drejtorinë e Azilkërkuesve, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shqipëri.
Numri më i madh i rasteve të azil kërkuesve paraqitet nga Siria, Afganistani dhe Iraku ndërkohë që raste përfshijnë edhe refugjatë të tjerë nga vendet e Afrikës dhe Lindjes së Mesme.
Shumica e azilkërkuesve e përdorin Shqipërinë si një pikë të përkohshme për të kaluar më pas drejt vendeve perëndimore.
Autoritetet shqiptare kanë ndërtuar në Gjirokastër një sistem të trajtimit të rasteve pasi Pika e Kakavijës vlerësohet si porta më e madhe e hyrjes së migrantëve pa dokumente nga Greqia fqinje.
Zyra e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR mbështet autoritetet shqiptare në Gjirokastër, ndërkohë që së fundi është përfshirë në mekanizmin e mbrojtjes së të drejtave të refugjatëve dhe monitorimin e kufirit edhe Avokati i Popullit.
Ndërkohë të dhënat shqiptare flasin se ka pësuar rënie hyrja e migrantëve të paligjshëm drejt Shqipërisë.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave të huajt, të cilët kapen në territorin e Shqipërisë pa dokumentacionin e nevojshëm ose gjatë kalimit të kufirit nëpërmjet vijës tokësore, rezultojnë 915 persona në 2016, duke pësuar një rënie me 55.3%, krahasuar me vitin 2015.
Te dhënat zyrtare flasin se edhe gjate vitit 2017 Shqipëria ka ruajtur po të njëjtat shifra të vitit 206 në hyrjen e të huajve pa dokumente.
Shumica e të huajve me dokumentacion të parregullt, mbi 70% e tyre, janë evidentuar në zonat kufitare, vlerësojnë burimet zyrtare shqiptare, ndërsa pjesa tjetër në brendësi të territorit.
/voa


