Shqipëria dhe Mali i Zi synojnë që të hapin një tjetër pikë kalimi kufitar, që do të menaxhohet në mënyrë të përbashkët për të shmangur burokracitë dhe vonesat për kalimtarët.
Takimi i fundit mes komisioneve të dy vendeve është mbajtur më 25 qershor, ndërsa së fundmi Ministria e Brendshme e Malit të Zi njoftoi se ka një dakordësi për hapjen e kësaj pike kalimi kufitar, që do të jetë e treta.
“Është rënë dakord që pika e kalimit kufitar Cemi i Trieshit-Grabom e ndërtuar bashkarisht në territorin e Malit të Zi të hapet sa më shpejt, mundësisht jo më vonë se muaji korrik”, thotë deklarata e palës malazeze.
Synimi është që kjo pikë kalimi kufitar të lehtësojë radhët në pikat e tjera të kalimit që janë funksionale aktualisht mes dy vendeve, sidomos te ajo e Muriqanit dhe e Hanit të Hotit.
Gjithashtu, mes dy vendeve është diskutuar edhe zgjerimi i kapaciteteve në pikën e kalimit të Muriqanit, ku pala shqiptare, sipas njoftimit të malazezëve ka ngecur për shkak të mungesës së fondeve.
“Përfaqësuesit e Shqipërisë kanë raportuar qe janë duke u ndërmarrë aktivitete lidhur me sigurimin e mjeteve financiare për zgjerimin e kapaciteteve në këtë vendkalim kufitar”, citon deklarata.
Me hapjen e Grabom-Cem i Trieshit bëhen katër pika kalimi kufitare funksionale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, pas Muriqanit, Hanit të Hotit dhe Vermoshit, ndërsa në plan janë edhe hapja e dy pikave të tjera në Zogaj të Shkodrës dhe Qafë-Vranicë në Tropojë që do ta lidhë me Gucinë.


