Një sasi tritoli, e vendosur në pjesën e poshtme të një makine tip Benz, shpërtheu mbrëmjen e sotme në Tiranë, në zonën e Komunës së Parisit.
Kjo makinë është në pronësi të prokurorit të Gjirokastrës, Arjan Muça, i cili ka ndjekur dosje të rëndësishme, si ajo e Dritan Dajtit. Sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, automjeti kishte dy vite që parkohej në brendësi të qendrës tregtare.
Bashkëshortja e Arjan Muçës është Gentiana Muça, një gjyqtare e njohur. Ende nuk dihet se kush ka qenë objektivi.
Prokurori Arjan Muça prej dy vitesh është i komanduar si këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Ai është një nga 6 prokurorët e komanduar në KLP.
Muça merret me raportet e vlerësimit të prokurorëve për në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK).
Arjan Muça është prokurori i çështjes së “Gërdecit”, e konsideruar si dosja më e bujshme për vetë faktin se pati një bilanc të tmerrshëm në viktima dhe dëme materiale.
Shumë vite më parë, Muça ka qenë oficer gjyqësor në Prokurorinë e Krimeve të Rëndë në Tiranë.
Më pas kaloi në Prokurorinë e Gjirokastrës, kurse aktualisht ai është komanduar në Tiranë.
Ndërsa gjyqtarja Gentjana Muça, bashkëshortja e prokurorit Arjan Muça, ka qenë gjyqtare te Gjykata Administrative e Gjirokastrës ndërsa tani është te Gjykata Administrative në Tiranë.
Ndonëse makina është në pronësi të prokurorit Arjan Muça, ajo përdorej dhe nga bashkëshortja e tij gjyqtare.


