Familja e Petrit Çekiçit në Pogradec është zgjuar mëngjesin e kësaj të shtune nga një eksploziv që ishte vendosur në oborrin e tyre.
Në lidhje me ngjarjen janë zbardhur detaje të reja ku bëhet me dije se dy djemtë e 53-vjeçarit Petrirt Çekiçi, kanë pasur konflikte me persona të tjerë me precedentë penalë.
Pikërisht kjo është edhe pista ku po heton policia.
Sakaq, mësohet se nipi i 53-vjeçarit ka vrarë në 2014 një person, fillimisht u dyshua se u vra nga Petrit Çekiçi, por pas hetimeve doli se nuk ishte ai autori.
“Më datë 13.02.2021, rreth orës 03:30, në fshatin Starovë, Pogradec, në oborrin e banesës së shtetasit P. Ç., 53 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse, e cila nuk ka shkaktuar dëme në njerëz apo dëme materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor ku po vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit,” njoftoi policia në lidhje me ngjarjen.


