Shpërthimet e shumta kanë tronditur qendrat e votimit në kryeqytetin afgan, gjatë zgjedhjeve parlamentare që po zhvillohen këtë të shtunë, njoftoi AFP.
Shpërthimet kanë shkaktuar dhjetra viktima.
Në një nga shpërthimet u plagosën 30 persona, sipas grupit të Emergjencës, një OJQ humanitare që vepron në Afganistan.
Më vonë u raportua se të paktën një fëmijë u vra gjatë shpërthimeve.
Ngjarjet u regjistruan pasi talebanët paralajmëruan votuesit që të bojkotojnë votimin “për të mbrojtur jetën e tyre”.
Zyrtarët afganë konfirmuan se kishte viktima, por nuk kanë dhënë një shifër.
Dhuna vdekjeprurëse ka shoqëruar zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen pas më shumë se 3 vitesh vonesë.
Bombardimet e fundit kanë gjasa të trembin votuesit, duke dëmtuar dhe besueshmërinë e zgjedhjeve.
Mënyra e re e votimit me pajisje biometrike për verifikimin e votuesve, të cilat po përdoren për herë të parë, kanë shkaktuar vonesa të gjata në qendrat e votimit anembanë vendit.
Shumica e qendrave të votimit u hapën vonë pasi personat e angazhuar për tu marrë me procesin e votimit nuk arritën në kohë, tha Komisioni i Pavarur Zgjedhor (IEC), i cili ka premtuar të zgjasë orët e votimit.


