Vdekja e papritur e 22-vjeçares braziliane Maria Eduarda Alves dos Santos ka shkaktuar trishtim te qindra mijëra ndjekësit e saj në rrjetet sociale.
E njohur në TikTok me emrin Duda Alves, influencerja kishte grumbulluar më shumë se 750 mijë ndjekës, ndërsa videot e saj përfshinin momente nga përditshmëria, histori personale dhe përmbajtje me nota humori.
Vdekja e saj është konfirmuar nga familjarë dhe miq në rrjetet sociale, ndërsa autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Mes pistave që po shqyrtohen është edhe mundësia e vetëvrasjes, por deri më tani nuk është bërë publik një përfundim zyrtar mbi shkakun e vdekjes.
Vetëm disa javë para vdekjes, 22-vjeçarja kishte folur publikisht me ndjekësit e saj për vendimin për t’iu nënshtruar një mastopeksie, ndërhyrje kirurgjikale për ngritjen dhe riformësimin e gjoksit.
Ajo kishte shpjeguar se vendimi lidhej si me arsye estetike, ashtu edhe me rehatinë në përditshmëri.
Sipas saj, për shkak të gjatësisë, ajo e ndiente gjoksin në disproporcion me trupin dhe kishte përjetuar edhe dhimbje shpine.
“Hoqa rreth gjysmën e asaj që kisha. Ishte më shumë një çështje estetike. Doja të mund të vishja rroba pa reçipeta dhe të kisha më shumë liri”, kishte treguar ajo për ndjekësit.
Pas ndërhyrjes, influencerja kishte folur gjithashtu për komentet që merrte nga ndjekësit meshkuj në rrjetet sociale.
Pas lajmit për vdekjen e saj, miq dhe të afërm kanë publikuar mesazhe prekëse në rrjetet sociale.
Mikja e saj, Sara Mahdavi, e përshkroi Dudën si një person që ishte bërë pjesë e familjes së saj.
“Duda, përveçse shoqja ime më e mirë, ishte familja ime, dashuria ime dhe shumë më tepër nga sa mund ta imagjinoja ndonjëherë”, shkroi ajo.
Kushërira e saj, Geovana Alves, 19 vjeçe, tha se kishte pasur privilegjin ta njihte për 19 vite.
Një tjetër mike, Clarissa Pavie, e kujtoi Dudën për humorin dhe autenticitetin e saj.
Ceremonia mortore u zhvillua të martën në një kishë në São Paulo, ku babai i 22-vjeçares falënderoi të gjithë ata që qëndruan pranë familjes dhe shprehën dashurinë e tyre për vajzën.
Hetimet për rrethanat e vdekjes së Duda Alves vijojnë.


