Ky është guri me të cilin Lorent Llapashtica goditi Edonis Selimin, të dy nxënës të shkollës “Iliria” në Prishtinë. Nga goditja prej tij, i riu nga Prishtina humbi disa dhëmbë dhe mori lëndime në buzë.
Nëna e Edonisit e mori gurin nga vendi i ngjarjes me shpresën se do t`i duhej si dëshmi për goditjen ndaj të birit.
Por aq të kujdesshëm sipas familjes nuk u treguan edhe organet e rendit.
Ata mbyllen rastin e djalit të tyre pa i informuar fare familjen, gjë që ka bërë që te kenë dyshime se dikush mund të ketë ndikuar tek ky rast.
E kjo sipas nënës së Edonisit nuk do duhej të ndodhte pasi shqetësimi i familjes ishte i madh, duke parë lëndimet që mori djali i tyre.
Sipas nënës së të miturit, Shpresës, fati e shpëtoi nga më e keqja djalin e saj.
Ajo e emocionuar rrëfen për T7 momentin kur e pa të shtrirë në QKUK djalin e saj.
Rasti i dy të miturve kishte shkuar në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Prokuroria kishte urdhëruar Departamentin e Mjekësisë Ligjore që të përpiloj një raport në lidhje me llojin e lëndimeve trupore që kishte marrë nga guri Edonis Selimi.
Ky departament pas analizave profesionale kishte konstatuar se plagët e Edonisit ishin dëmtime të lehta trupore.
E kjo kishte bërë që kallëzimi penal të ndryshoj cilësimin nga lëndim i rëndë trupor në lëndim të lehtë.
Kështu prokuroria kishte sjell aktvendimin për mos-ndjekje penale, pasi i dyshuari që ishte i mitur nuk kishte të kaluar kriminale.
Por një vendim të tillë, po e kundërshtojnë prindërit e të dëmtuarit.
Behgjet Selimi thotë se askush nuk i pyeti kur u vendos që të procedohet lënda.
Selimi thotë se dikush ndikoi që prokuroria të ndalojë ndjekjen ndaj të dyshuarit.
E për këtë çështje T7 ka kontaktuar me familjen Llapashtica, djali i secilës dyshohej për këtë punë.
Ata thanë se nuk dëshirojnë të komentojnë, pasi prokuroria ka thënë fjalën e saj.