Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me atë që u cilësua si vetëvrasja e gardistit, shofer i ministrit Xhafaj, 31-vjeçarit Shkëlzen Qoerdja.
Sipas ekspertizës, ai u vetëvra në ambientet e garazhit të Gradës së Republikës, ndërsa prokurorët kanë marrë në vëzhgim kamerat e sigurisë që ndodhen në ambientet përreth, për të zbuluar lëvizjet e tij të fundit. Kujtojmë që në brendësi të garazhit të Gardës nuk disponohen kamera sigurie, ndaj momenti kur i riu i ka dhënë fund jetës, nuk është filmuar apo dëshmuar.
Ngjarja nuk dihet ende se në ç’orë ka ndodhur, ndërsa u bë publike për mediat rreth orës 11:00 të ditës së shtunë.
Miqtë e të riut dhe kolegët e tij tregojnë se nuk kanë patur asnjë të dhënë në lidhje me ndonjë arsye që mund të çonte Qordjan drejt vetëvrasjes, por gjithashtu kanë shtuar se nuk kanë dëgjuar të shtënë arme.
Njëri prej tyre tregon:
Nuk i kemi dëgjuar të shtënat. Vetëm kemi shkuar dhe kur kemi hapur garazhin e kemi parë Shkëlzenin të mbuluar nga gjaku. Morëm ambulancën por nuk kishte shenja jete. E kemi parë ditët e fundit, por nuk kemi vënë re ndonjë shqetësim tek ai. Nuk mund ta kuptojmë pse ndodhi”.
Gjithashtu, 31-vjeçari ka biseduar edhe me disa njerëz të tjerë përpara se t’i jepte fund jetës. Hetuesit kanë marrë edhe telefonin e Shkëlzen Qordjes për të zbuluar komunikimet e fundit me kë ai i ka pasur.
Nga tabulatet telefonike Prokuroria shpreson të gjejë ndonjë të dhënë që çoi në vetëvrasjen e Shkëlzen Qordjes.


