Ish Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, është një nga drejtuesit e lartë të institucioneve shqiptare, i cili mesohet se është arrestuar këtë mbremje, pas dosjes të një dëmi rreth 50 milion euro, shkaktuar për ndërtimin e rrugës Tiranë- Elbasan.
Xhika është një nga të shumtët e akuzuar si një drejtor i korruptuar. Ai ka qenë përfaqësues i LSI -së në krye të Drejtorisë së Rrugëve, ku jo vetëm ka pasur akuza nga mediat, por edhe kallëzime nga KLSH, nga institucioni që ai ka drejtuar si dhe nga Ministria e linjës, (MIE).
Kallëzim penal erdhi në adresë të ish Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika është depozituar nga Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Shkak për këtë kallëzim është bërë aksi rrugor Elbasan-Tiranë, ku sipas ministrit Gjiknuri, Xhika akuzohet për shpërdorim detyre.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan dhe procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD, afër 50 milione euro.
Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.
Dashamir Xhika gjithashtu është nën hetim nga prokuroria, pasi dyshohet se është përfshirë në një skemë për blerjen e votave.
Sipas materialit të prokurorisë, një biznesmen që identifikohet si Shkëlqim B, në bashkëpunim me drejtorin e përgjithshëm të Rrugëve premtonte para në këmbim të votës për një subjekt politik në disa zona të Cërrikut dhe fshatrat përreth.
Sipas prokurorisë, pasi biznesmeni paguante paratë, lista me kartat e identitetit i shkonte drejtorit të Rrugëve.
Rikujtojmë se edhe një vit më parë, Xhika është kallëzuar në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Xhika dhe disa vartës së tij, u akuzuan se kishin shkaktuar një dëm prej 634 milionë lekësh në buxhetin e shtetit përmes prokurimesh të pajustifikuara apo favorizimesh të kompanive ndërtuese të rrugëve.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, KLSH një vit më parë, deklaroi se pas përfundimit të auditimit në Autoritetin Rrugor Shqiptar, për periudhën 1 janar 2014-30 shtator 2015, ka konstatuar “nivel të ulët përgjegjshmërie me pasoja negative në përdorimin e fondeve buxhetore në këtë sektor strategjik”.
Sipas KLSH -së, Dashamir Xhika dhe vartësit e tij janë përgjegjës për dëmin financiar të shkaktuar nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore.
Kujtojmë se Dashamir Xhika dha doreheqjen pas 3 vitesh në këtë pozicion, në 18 shtator të vitit të kaluar. Dorëheqje të cilën ia paraqiti, ministrit Damian Gjiknuri.
Përgatiti: AlpeNews.al




