Një apartament në katin e tetë të një pallati në Durrës është përfshirë nga flakët pak para mesnatës së djeshme, në lagjen numër 1 të qytetit bregdetar.
Për shkak të lartësisë së madhe ku ishte banesa, forcat zjarrfikëse e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë duke bërë që zjarri të përhapet dhe në apartamente të tjera ngjitur, e duke shkrumbuar në total 3 banesa.
Mësohet se disa banorë janë evakuuar, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa disa prej tyre kanë qenë në gjendje asfiksie dhe kanë marrë ndihmën mjekësore në spital.
E gjithë zona është mbuluar nga re tymi, ndërsa ngjarja ka shkaktuar panik te të gjithë banorët e pallatit.
Ndërkohë që me kalimin e minutave të gjithë banorët e pallatit janë larguar nga banesat e tyre, deri në shuarjen e flakëve.
Dyshohet që zjarri ka marë nga një dyshek me ngrohje që kishte familja. Dëmet materiale në banesë kanë qenë të shumta dhe ato shihen qartë dhe në videon e mëposhtm.
Raportohet se në banesën ku ra zjarri fillimisht jetonte vetëm kryefamiljari, pasi anëtarët e tjerë të familjes ishin larguar pak ditë më parë drejt Italisë.
Ai shprehet se kishte qenë në dush në momentin kur ra zjarri dhe kishte nxjerrë dyshekun elektrik në ballkon, në mënyrë që të evitonte dëmet.


