Gazetari investigativ Artan Hoxha deklaron se protesta e opozitës para Parlamentit dhe brenda tij ishte e inskenuar.
Sipas tij, mbështetësit e PD-së dhe LSI-së kanë pasur si qëllim të hyjnë brenda ambienteve të Kuvendit, në të paktën dy raste, madje kanë qenë ata që kanë sulmuar të parët policinë.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, Hoxha thotë se janë sekuestruar tashmë pamjet filmike, e pritet thellim i hetimeve.
“Është një ngjarje e inskenuar. Policia ka pasur informacione që do kishte tejkalim dhune, ndaj ndodheshin aty edhe FNSH. Nga pamjet filmike rezulton se është tentuar të thyhet dy herë gardhi i sigurisë i vendosur para parlamentit të Shqipërisë. Në të dyja rastet turma e protestuesve e ka thyer gardhin e trupave të policisë së komisariatit numër 1, duke përdorur përplasje fizike, shkopinj druri, që ishin sjellë aty si pjesë e pankartave. Në rastin e parë kanë qenë kryesisht deputetë të LSI, dhe mbështetës të kësaj force politike, kurse në rastin e dytë kanë qenë deputetë të PD dhe mbështetës të tyre. Në të dyja rastet tentativa për të hyrë drejt Kuvendit ka dështuar pasi policia kishte marrë masat duke vendosur një kordon të dytë me forca speciale dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë”,- sqaroi Hoxha, siç raporton “BalkanWeb”.
Hoxha thotë më tej, se ishin protestuesit që kanë qëlluar mbi policët, ku të paktën shtatë prej tyre janë plagosur. E ndërsa kujton rastin e deputetës së LSI-së Floida Kërpaçi të gjakosur atë ditë, ai thotë se edhe tre punonjëse të policisë, në krye të detyrës janë plagosur nga dhuna e protestuesve.
“Duhet të vendoset një standard. Nuk mund të shkojmë pafundësisht me protesta të tilla. Janë dëmtuar 7 policë, kanë marrë mjekim, do marrim para se do dëmshpërblehen, por këto janë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nëse pretendohet se është goditur një deputete femër po për tre police që janë dhunuar kush e mban përgjegjësinë? Nuk janë vajza ato? Nuk janë nëna? Nuk ishin në detyrë?. Duhet të shikohen filmimet me imtësi se janë goditur me shkopinj druri, ku janë gjetur këto mjete? Ai është shkop për t’ja thyer kokën policisë prandaj them se ka pasur një skenar të përgatitur”,- shtoi Hoxha.
Sipas tij, “Janë marrë edhe kamerat e sigurisë brenda Kuvendit dhe mbi to do vendoset për shkeljet që kanë kryer deputetët në sulmin ndaj trupave të Gardës dhe po ashtu për rastet kur trupat e gardës kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë ushtruar dhunë. Është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes në Kuvend ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe sendet e hedhura nga deputetë të ndryshëm të opozitës në drejtim të Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit”.


