Një 50-vjeçar, i cili akuzohet për disa vepra penale, si dhunë ndaj ish-gruas, kundërshtim të punonjësve të policisë si dhe për pengim të punonjësve të Zyrës së Përmbarimit Elbasan, është arrestuar ditën e sotme.
Sipas policisë burri ka dhunuar gruan e tij, pasi kjo e fundit i ka marrë ligjërisht edhe kujdestarinë e vajzës. Gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor, ai ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij duke e penguar në marrjen e kujdestarisë së fëmijës.
“Pengoi punonjësit e Zyrës së Përmbarimit për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, ushtroi dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes si dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë, vihet në pranga nga Policia 50-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin:
N. Ç., 50 vjeç, banues në Belsh, pasi në lagjen ‘Kongresi’, Elbasan, ka penguar punonjësit e Zyrës së Përmbarimit Elbasan dhe gjatë ekzekutimit të vendimit gjyqësor, ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij duke e penguar në marrjen e kujdestarisë së fëmijës.
Gjithashtu ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë në krye të detyrës.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprat penale, “Dhunë në familje”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës”, thuhet në njoftimin e policisë.


