I ftuar në A2 Debat, Alfred Peza, sekretar për marrëdhënien me mediat dhe shoqërinë civile në Partinë Socialiste, komentoi zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te përplasja mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
“Për herë të parë në historinë 28-vjeçare të demokracisë është krijuar një precedent, pasi presidenti i Republikës shkel me të dy këmbët Kushtetutën dhe sillet si lider i opozitës brenda gardhit të një institucioni që i ka të caktuara përgjegjësitë e saj”, tha Peza.
Ndërsa për çështjen më të përfolur të kronikës, arrestimin e Kelmend Balilit, Peza u shpreh:
“Arrestimi i një personi që mbante një pozicion lokal i lidhur me një parti politike sot në opozitë, kuptohet se është një raport sa i vjetër dhe i ri mes politikës dhe krimit, mes të fortëve të lagjeve, zonave, fshatrave me politikën qendrore në Tiranë. Rasti është më i fortë sepse personi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge”.