Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati Bushka, gjatë një interviste televizive foli për vizitën e drejtorit për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik i cili ka takuar në Tiranë aktorët kryesorë politikë në vend, nga mazhoranca e opozita.
Deputetja e PS-së, deklaroi se theksi në takimin e Kostelancik me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së ishte rëndësia e përmbylljes së reformës zgjedhore në kuadër të të gjithë klimës politike që ekziston në vend si një element për të kthyer palët në institucion.
“Takimi ka qenë informues. Ka qenë një takim kortezie. Aq më tepër në klimën e një situate ku Shqipëria pritet të marrë kryesimin e OSBE-së. Çështjet e politikës së brendshme janë të rëndësishme. Nuk është se ka pasur kërkesa specifike, por gjetjen e zgjidhjeve më të mira brenda kornizave kushtetuese. Nuk ishte çështje në fokus, sepse diskutimi më shumë është fokusuar te reforma zgjedhore. Kjo ka qenë e vetmja pikë ku është diskutuar në lidhje me rolin e partive jashtë parlamentit”, – tha Bushka.
Ndër të tjera, Bushka tha se në takimin me David Kostelancik nuk u fol për zgjedhjet e 30 Qershorit, pasi partnerët ndërkombëtarë e kanë shprehur tashmë qëndrimin e tyre.
Bushka foli edhe për procedurat e shkarkimit të Presidentit.
“Komisioni vepron për aq sa është e mundur sipas rregullave që parashikohen në Kodin e Procedurës Penale. Një nga parimet e këtyre lloj procesesh kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të individëve në këto lloj procedimesh. Një nga këto të drejta ka të bëjë me faktin të dëgjuarit, mundësisë të japë shpjegime. Është një detyrim i Kuvendit dhe Komisionit Hetimor ta ftojë dhe ta thërrasë presidentin të japë shpjegimet me këtë rast si dhe nëse ka nevojë Komisioni Hetimor tej shpjegimeve që do japë Presidenti, ka të drejtën të bëjë pyetje. Është detyrim për ta thirrur, është detyrim për Presidentin që nëse thirret të jetë i pranishëm”, – tha Bushka.
Bushka saktësoi se nuk është Komisioni i Venecias që do të marrë vendimin nëse do të shkarkohet apo Presidenti.
“Opinioni i Komisionit të Venecias do të jetë i rëndësishëm për të përcaktuar standardet më të mira ndërkombëtare mbi shinat e të cilës ne do të donim të ecnim në këtë proces për të qenë korrekt dhe për të pasur një bazueshmëri të qëndrueshme edhe në praktika të mëparshme të vendeve të tjera. Nuk i kemi kërkuar Komisionit të Venecias nëse duhet apo jo ta shkarkojmë Presidentin. I kemi kërkuar një opinion mbi parime të së drejtës të cilat aplikohen në raste të ngjashme dhe sa i takon faktit të elementëve të caktuara përbëjnë apo jo cenim të të drejtave të njeriut apo të standardeve demokratike në një vend. Ka të bëjë me sqarime pasi Komisioni i Venecias ka të bëjë me rolin e ekspertizës për t’i ardhur në ndihmë vendeve ndërkombëtare që të kenë një element të shtuar të sigurisë juridike. Nuk mund të përgjasojnë opinionet e Komisionit Hetimor me atë të Venecias. Kanë natyra të ndryshme. Komisioni i Venecias në kuadër të praktikave ndërkombëtare na ndihmon të kuptojmë dhe të qartësojmë çështje të së drejtës, por nuk mund të jetë determinant. Por është një ndihmë shumë e madhe që ky proces të jetë në shinat e standardeve”, – tha Bushka.


