Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar me një letër Komisionit të Venecias për t’i marrë opinion nëse Presidenti Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e 30 Qershorit.
Në letrën e firmosur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i kërkon Gianni Buquicchio që të sjellë sa më shpejt që të jetë e mundur opinionin nisur nga ndjeshmëria e cështjes në vendin tonë. Kërkesa nuk ishte surprizë, pasi u vendos në datë 15 korrik nga Komisioni Hetimor që është ngritur për shkarkimin e Presidentit Meta, pasi anuloi dekretin për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.
Kreu i shtetit pak ditë para 30 Qershori anuloi zgjedhjet me argumentin e situatës politike dhe bojkotit të opozitës, por KQZ dhe Kolegji Zgjedhor rrëzuan kreun e shtetit dhe shumica zhvilloi zgjedhjet, të cilat Meta dhe opozita nuk i njohin. Por ndërkombëtarët i certifikuan, teksa SHBA dhe BE-ja kërkuan që kryetarët e rinj të nisin sa më shpejt punën.