Një rrjet trafikantësh është shkatërruar nga policia greke pasi shisnin foshnja të porsalindura.
Ky rrjet drejtohej nga një 39-vjeçar bullgar i cili ishte proceduar edhe më parë për vepra penale të ngjashme.
39-vjeçari emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur, përdorte disa gra për të lindur fëmijë, të cilët i shiste më pas kundrejt shumave të mëdhaja parash.
Menjëherë pasi policia greke ra në gjurmët e këtij rrjeti bëri të mundur arrestimin e 6 grave bullgare në një apartament në Athinë.
Dy policë të Departamentit të Policisë ngritën një kurth duke u shtirur si një çift i interesuar për të blerë fëmijë. Pas takimit me një 40-vjeçare gjeorgjiane që luante rolin e sekseres ata ranë dakort për të blerë një foshnje vetëm 4-ditëshe kundrejt 18 mijë eurove.
Menjëherë pasi bënë shkëmbimin e parave me fëmijën policët vunë në pranga 40-vjeçaren e cila bëri të ditur funksionimin e rrjetit por pa dhënë shumë detaje.
Tre prej grave të arrestuara ishin shtazëna, ndërsa u bë e mundur gjetja e tre fëmijëve të shitur të cilët fatmirësisht ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Sakaq policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.