Banka e Shqipërisë ka gati projektligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili do të reduktojë kostot e shërbimit të dërgesave të emigrantëve.
Drafti synon ndër të tjera të rrisë edhe shërbimin bankar në zonat rurale. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dje në takimin e dytë të nivelit të lartë për remitancat, tha se nisma e re ligjore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e kostove të dërgesave.
“Miratimi dhe zbatimi i projektligjit ‘Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë’, i cili transpozon direktivën e rishikuar të Bashkimit Europian ‘Për shërbimet e pagesave’ (PSD2) vlerësohet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin dhe reduktimin e kostove që mbart përdorimi i tyre. Për më shumë, projektligji vlerësohet të rrisë transparencën në shërbimet e ofruara nga tregu dhe në krijimin e një kuadri të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit, një përbërës ky mjaft i rëndësishëm për tregun tonë. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, projektligji synon edhe zgjerimin e ofrimit të shërbimeve nga bankat në të gjithë territorin (përfshirë dhe zonat rurale”, tha Sejko. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë cilësoi si mjaft të rëndësishme edhe ngritjen e një platforme kombëtare për pagesat. Sejko tha se kjo platformë synon modernizimin e infrastrukturës dhe uljen e kostos së dërgesave.
“Njëkohësisht, gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë do të angazhohet në një sërë zhvillimesh infrastrukturore, të cilat mbështesin përfshirjen financiare, reduktojnë kostot e përdorimit të këtyre instrumenteve dhe vlerësohet të kenë ndikim edhe në tregun e remitancave, kryesisht nga pikëpamja e marrësve të dërgesave dhe përdorimit të tyre. Këtu mund të përmendim krijimin e një platforme kombëtare për procesimin e pagesave në kohë reale (instantpayment dhe për procesimin e pagesave me kartë). Këto platforma krijojnë kushtet për zhvillimin e shërbimeve inovative dhe me kosto të ulëta, si dhe synojnë segmente të tregut, të cilat krijojnë volume të bollshme, duke targetuar pagesat e institucioneve shtetërore dhe pagesat që qytetari shqiptar i kryen në përditshmërinë e tij”, tha Sejko. Kostot e ulëta në dërgesa dhe masat që po merr Banka e Shqipërisë u vlerësuan edhe nga ministri i Diasporës, Pandeli Majko.
“Remitancat përbëjnë një mundësi tregu me bazë fitimprurjeje. Tërheqja e nivele të rritura të tyre nëpërmjet promovimit të transfertave me kosto më të ulët do të lehtësonte shfrytëzimin e rrjedhave hyrëse të parave. Në këtë çështje, roli i bankave është i pazëvendësueshëm. Vlerësimi për të pasur një aktivitet të përvitshëm të kësaj natyre si ky i sotmi në Bankën e Shqipërisë dëshiron të nxisë që bankat të dalin nga roli i ‘dëgjuesit’ drejt një statusi të natyrshëm partneriteti. Tregu bankar është krenaria e Shqipërisë për stabilitetin e vet. Kjo tryezë është vetëm vlerësim dhe besoj të shërbejë në një dialog që i shërben atij dhe forcimit të tij”, u shpreh Majko.