Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me strukturat e pushtetit vendor në Sarandë, ku deklaroi se fenomeni i krimeve mjedisore duhet të marrë fund njëher e përgjithmonë
Balla ka theksuar se Saranda e cilësuar si “Maldivet e Europës” duhet mbrojtur si dhe ka kërkuar ndërshkim ekzemplar për këdo i cili ‘vret’ mjedisin.
“Jam sot në Sarandë edhe me shqetësimin që vjen nga fakti që Policia e Shtetit ka identifikuar para dy ditësh, disa ndërtime pa leje, pikërisht në një prej zonave më të bukura të turizmit shqiptar si Ksamili. Dhe dua që Kryetarit të bashkisë dhe të gjitha strukturave të tjera ligjzbatuese, t’i kujtoj se për ne, krimi mjedisor është i pa tolerueshëm. Dhe duhet të bëjmë gjithçka në ditët, javët dhe muajt në vijim, për të rritur prezencën tonë dhe kontrollin ndaj territorit. Është e vërtetë, ne jemi shumë krenarë për faktin që Saranda, Ksamili dhe të gjitha destinacionet e tjera turistike, që mbulon bashkia Sarandë janë sot në faqet e gazetave dhe mediave kryesore botërore, me emërtesat më të bukura si, “Karaibet e Europës”, apo “Maldivet e Europës”. Por ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që këtë pasuri që na ka falur Zoti dhe natyra, ne të bëjmë ç’është e mundur për t’i mbrojtur ato. Dhe prandaj është shumë e rëndësishme të rrisim prezencën dhe kontrollin tonë në territor”.


