Një sherr ku u përfshinë disa persona ka ndodhur mëngjesin e sotëm përballë shkollës “Andon Zako Çajupi” në Tiranë. Pesë persona u shoqëruan në Polici, një përfundoi në spital dhe një armë zjarri u sekuestrua në vendngjarje.
Shkaqet nuk janë të qarta ende, ndërsa pas ngjarjes u mësua se të përfshira ishin dhe dy mësuese. Gazetarja Dorjana Bezat tregon gjithë detajet sesi ka nisur sherri dhe kush është përfshirë në të. Duket se gjithë përplasja ka ndodhur për fjalë të shkëmbyera mes dy mësuesve, të cilat më pas kanë marrë dhe burrat e tyre.
Shkruan Dorjana Bezat:
E hënë, 11 tetor 2021.
Mëngjes. Dyndje nxënësish për t’u futur në shkollën “Andon Zako Çajupi”. Mes tyre mësues. Në rrugën përballë derës së shkollës ndalon një makinë. Prej saj dalin disa burra me maska anti-covid të zeza. Ata ndalin një mësuese. “Ti nuk do të hysh në mësim. Hajde sqarohu me ne”. Zhvendosen në barin përballë. Ndodh paradoksi. Mësueset që duhet të jenë model për nxënësit dhe t’i edukojnë shpalosin para tyre shembullin më të keq.
Mësuesja e letërsisë dhe mesuesja e historisë për një arsye banale, nxisin një sherr ku mes burrash kërcet karrigia kokës. Një 32-vjeçar përfundon në spital i dëmtuar me sende të forta. Në trotuar gjendet një pistoletë. Dëshmitarët thonë se dëgjuan 3 të shtëna dhe lutën Zotin të mbronte jetët e tyre. Quo Vadis?!
Konflikti ishte mbartur që të premte. Askush nga drejtuesit arsimor të shkollës nuk e kishte marrë seriozisht. U mjaftuan me një sms.
Në nisje të çdo viti shkollor fitet për: Portalin mësues për shqipërinë, qarkoret për drejtorët e shkollave, udhëzime, mbledhje, trajnime, punonjësit e policise në afërsi të shkollave e sa e sa të tjera.
Kur ngjarja degradon në këtë formë për një fjalë shkëmbyer mes dy mësueseve ç’duhet të mendojmë për një situatë tjetër? Po nëse burrat inatin do ta kishin me prindin e një fëmije? Po nëse pistoleta do të qëllonte drejt? Turp!