I riu që shihni në foto është Hansi Jonuzaj, i cili dyshohet të jetë autor i vrasjes së 31-vjeçarit Tauland Gjikaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën Trans-ballkanike në Vlorë. Siç raportoi më herët edhe gazetari Mehmeti për “BalkanWeb”, shkak i vrasjes dyshohet të ketë qenë një borxh që viktima iu ka pasur autorëve.
Mëngjesin e djeshëm, 31-vjeçari Gjikaj ka kërkuar një shumë lekësh borxh diku, si dhe ka komunikuar në telefon me autorët. Gazetari Mehmeti i tha “BalkanWeb” se tabulatet telefonike faktojnë bisedat e zhvilluara mëngjesin e djeshëm mes viktimës dhe autorëve, të cilat kanë qenë të ashpra, me debate dhe ofendime. Ata kanë qenë miq dhe shokë me njëri-tjetrin, ndaj dhe 31-vjeçari ka ndaluar, në momentin që ata i kanë dalë para në rrugë.
Pas vrasjes, autorët janë larguar me shpejtësi, por pasagjeri në derën e pasme për një moment nuk ka mundur të hipi dhe mjeti është ndalur sërish. Pas rreth 1 kilometër nga vendi i ngjarjes dy persona kanë zbritur nga makina, ndërsa shoferi, Jonuzaj ka ikur drejt Pyllit të Sodës, ku dhe është kapur. Ndërkohë, Hansi Jonuzaj nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes. Nga ana e saj, policia vijon kërkimet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve në krim.


