Dy persona të shpallur në kërkim nga drejtësia franceze, janë arrestuar në Durrës dhe Tiranë.
“Si rezultat i operacionit u bë e mundur që në Tiranë, të kapej dhe të arrestohej shtetasja franceze C. F., 26 vjeçe, si dhe në Durrës të kapej e arrestohej shtetasi francez A. Gh., 33 vjeç, të cilët ishin të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Ky nuk është rast unik në vitet e muajt e fundit që shtetasit e huaj me rekorde kriminale ndalohen në Shqipëri duke vendosur edhe njeherë theksin se Shqipëria sot, nuk është më “parajsa” e tyre për t’iu fshehur drejtësisë së shteteve përkatëse.
Për të kuptuar më mirë kètë mjafton të rendisim disa prej këtyre momenteve.
Janar/ Finlandezi në kërkim ndërkombëtar arrestohet në Tiranë
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi finlandez M. S., 34 vjeç është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë finlandeze, pasi Gjykata e Apelit në Helsinki, në prill 2018 e ka dënuar me 3 vjet e 11 muaj burgim, për vepra penale të rënda në fushën e narkotikëve, armëmbajte pa leje dhe shumë raste të përsëritura në disa qytetet në Finlandë, në periudhën dhjetor 2016 – prill 2017, ku ka shkaktuar panik dhe rrezik për qytetarët duke drejtuar automjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe pa leje drejtimi.
Qershor/ Arrestohet për terrorizëm 34 vjeçari rus
Një 34-vjeçar nga Rusia, pjesë e ISIS që prej vitit 2013, është arrestuar në Tiranë nga Drejtoria e Antiterrorit në policinë e shtetit. Shtetasi rus kishte mbërritur si emigrant i paligjshëm në Shqipëri pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Moska. Në Qershor të vitit 2013 ky shtetas është larguar nga Rusia për në Siri, ku iu bashkua grupit terrorist duke qenë aktiv në luftimet kundër forcave qeveritare në Siri.
Prill/ Gjakovari që kërkohej në Austri, kapet në Morinë
Një shtetas kosovar është arrestuar në Morinë me qëllim ekstradimin e tij në shtetin Austriak.
Adriatik Shala, 30 vjeç, banues në Gjakovë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u ndalua në hyrje të Pikës kufitare të Morinës. /ALPEnews.al




