Kërkimet për gjashtë personat e zhdukur pas shembjes së urës në Baltimore të SHBA, të cilët mendohet se kanë ndërruar jetë, vazhdojnë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës, kur një anije mallrash u përplas me shtyllën e urës, duke shkaktuar shembjen e saj.
Policia e shtetit të Maryland dhe zyrtarët e Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara thanë se dukshmëria e ulët dhe rrymat e ujit kanë vështirësuar punët e ekipeve të kërkimit.
“Bazuar në kohëzgjatjen e kërkimeve të kryera dhe temperaturën e ujit, aktualisht vlerësojmë se nuk do të gjejmë njerëz të gjallë ”, shpjegoi zëvendësadmirali Shannon Gilreath gjatë një konference për shtyp.
Një ditë më parë, dy persona arritën që të nxirreshin të gjallë nga uji, njëri prej të cilëve është rëndë. Gjashtë që supozohet se kanë vdekur përfshinin punëtorë nga Meksika, Guatemala dhe El Salvadori, sipas Konsullatës meksikane në Uashington.