Uashingtoni ka hequr licencën të një prej kompanive më të mëdha kineze të telekomunikacionit duke përmendur shqetësimet e “sigurisë kombëtare”. China Telecom duhet të ndalojë ofrimin e shërbimeve në Amerikë brenda 60 ditëve.
Zyrtarët thanë se kontrolli i qeverisë kineze mbi kompaninë i dha asaj mundësinë “për të hyrë, ruajtur, ndërprerë dhe/ose keqdrejtuar komunikimet në SHBA”.
Kjo nga ana tjetër mund ta lejojë atë “të përfshihet në spiunazh dhe aktivitete të tjera të dëmshme kundër SHBA”, dyshon Uashingtoni.
China Telecom, e cila ka ofruar shërbime telekomunikacioni në SHBA për gati 20 vjet, e quajti vendimin “zhgënjyes”.
“Ne planifikojmë të ndjekim të gjitha opsionet e disponueshme duke vazhduar t’u shërbejmë klientëve tanë”, thuhet në një deklaratë.
China Telecom është një nga tre kompanitë që dominojnë tregun e telekomunikacionit të Kinës. Firma u shërben qindra miliona klientëve në 110 vende.
Vendimi vjen disa orë pasi Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen foli me zëvendëskryeministrin e Kinës Liu He për gjendjen e ekonomisë globale.
Takimi ishte parë si një shenjë e përmirësimit të marrëdhënieve midis dy superfuqive, të cilat së fundmi kanë shkëmbyer akuza mbi tregtinë dhe Tajvanin.
Komisioni Federal i Komunikimit (FÇ) paralajmëroi se mund të mbyllë China Telecom Americas në prill 2020, duke pretenduar se firma “është subjekt i shfrytëzimit, ndikimit dhe kontrollit nga qeveria kineze”.
Ai tha se kompania kishte “shumë të ngjarë të detyrohej të pajtohej me kërkesat e qeverisë kineze pa… mbikëqyrje të pavarur gjyqësore”.
Kjo është kompania e radhës kineze e telekomunikacionit që është vënë në shënjestër nga zyrtarët amerikanë për shqetësime të sigurisë kombëtare.
Vitin e kaluar, FÇ përcaktoi Huaëei dhe ZTE si kërcënime për rrjetet e komunikimit, duke e bërë më të vështirë për firmat amerikane blerjen e pajisjeve prej tyre.
FÇ hoqi licencën amerikane të China Mobile në 2019 dhe është në proces për ta bërë këtë për dy firma të tjera të mbështetura nga shteti kinez, China Unicom Americas dhe Pacific Networks.
Në të gjitha rastet, zyrtarët amerikanë përmendën rreziqet që qeveria kineze mund t’i përdorte kompanitë për të spiunuar SHBA, ose për të dëmtuar interesat kombëtare.


