Një sulm me armë në një shkollë të krishterë në Wisconsin ka lënë të paktën dy persona të vdekur dhe disa të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës në shkollën Abundant Life Christian School, në Madison, Wisconsin.
Sipas Daily Mail, dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur. Burime lokale tregojnë se autori i sulmit ka vrarë veten, megjithëse ende nuk është e qartë nëse ai përfshihet në numrin e viktimave.
Policia konfirmoi se autori i të shtënave është “neutralizuar.”
Raportet e para thonë se sulmuesi hyri në shkollë dhe hapi zjarr. Ende nuk dihet nëse viktimat janë nxënës, pjesëtarë të stafit, apo të dyja palët.
Zona rreth shkollës, e cila ndodhet në Dane County dhe ka rreth 390 nxënës nga kopshti deri në klasën e 12-të, është aktualisht e rrethuar nga forca të shumta policore.
“Ky është një hetim aktiv dhe i vazhdueshëm,” thuhet në një deklaratë të policisë së Madison-it. “Më shumë informacione do të publikohen sapo të jenë të disponueshme. Për momentin, u kërkojmë qytetarëve të shmangin këtë zonë.”
Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë para pushimeve të Krishtlindjeve, ndërsa nxënësit po përgatiteshin për një ndeshje basketbolli të planifikuar për mbrëmjen e së hënës.
Senatori i Wisconsin-it, Ron Johnson, reagoi në rrjetin X duke thënë:
“Ngushëllimet dhe lutjet e mia më të sinqerta për viktimat e tragjedisë në shkollën Abundant Life Christian School. Do të vazhdoj ta ndjek nga afër këtë situatë.”


