Një 41-vjeçar nga Lezha është dëbuar nga autoritetet e Emigracionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi rezultonte person në kërkim për vrasje.
Shqiptari i deportuar është Lul Lucaj, 41 vjeç, i dënuar me 14 vjet heqje lire për vrasjen e dy vëllezërve. Lucaj e ka kryer krimin në Itali, por megjithatë është dënuar nga Gjykata e Lezhës, për shkak të një marrëveshjeje mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane. E megjithëse dënimi i Lucajt ishte bërë me marrëveshje, sërish autoritetet italiane kanë penguar deportimin e tij në Shqipëri.
Duke qenë se avioni ku ndodhej 41-vjeçari do të bënte tranzit në Romë, autoritetet italiane e kanë ndaluar atje dhe për këtë arsye nuk ka mbërritur në Rinas. Ende nuk janë të qarta motivet e ndalimit, në një kohë që urdhri i dëbimit nga zyra e Emigracionit në Nju Jork parashikonte dorëzimin e tij tek autoritetet shqiptare në Tiranë.
VRASJA NE ITALI
Ngjarja për të cilën ishte shpallur në kërkim Lul Lucaj ka ndodhur në Itali, rreth 17 vite më parë. Në muajin gusht të vitit 2000, Lucaj u përfshi në një konflikt me dy vëllezër shqiptarë në Romë. Gjatë këtij konflikti, ai dyshohet se vrau njërin prej vëllezërve. Disa ditë më pas, me ndihmën e miqve të tij, Lul Lucaj vrau edhe vëllain tjetër, me të cilin ishte konfliktuar.
Për këtë ngjarje, ai u arrestua në Shqipëri. Qeveria italiane dhe ajo shqiptare ranë dakord që i dyshuari për krimin e dyfishtë të gjykohej nga një gjykatë shqiptare. Për këtë arsye, në muajin qershor të vitit 2009, Lucaj u dënua në mungesë për vrasje, me 14 vjet e gjysmë burg. Dënimi për të u dha nga Gjykata e Lezhës. Në bazë të këtij vendimi u bë edhe shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar.
UDHETIMI NE SHBA
“Lucaj erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një i dënuar për vrasje, në përpjekje për t’u shpëtuar krimeve që kishte kryer”, është shprehur Thomas Decker, një zyrtar i Zyrës së Emigracionit në Nju Jork.
“Ne do të vijojmë që të godasim kriminelë të huaj, mbi të gjitha ata që kërkojnë strehim në komunitetet tona dhe do të sigurohemi që t’i dëbojmë drejt vendlindjes së tyre, në mënyrë që të përballen me drejtësinë atje”, ka deklaruar ai në një të përditshme amerikane. Në muajin mars të vitit 2015, Lul Lucaj u arrestua në Amerikë, pasi kishte hyrë në këtë shtet në mënyrë të jashtëligjshme, në një datë dhe orë të panjohur.
Atij iu dha fillimisht e drejta që të qëndronte nën mbikëqyrjen e autoriteteve të emigracionit, deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur autoritetet përcaktuan se ai ishte rrezik për publikun. Në janar të këtij viti, 41- vjeçari nga Lezha u arrestua nga oficerët e deportimit dhe ai qëndroi në paraburgim. Në maj, Gjykata vendosi që Lucaj të kthehej në Shqipëri./ panorama


