Asgjë nuk do t’ia kthejë Mahmoud Khalil-it 104 ditët e kaluara në qendrën e ndalimit në Luiziana: “Trauma, ndarja nga bashkëshortja ime, lindja e djalit tim, të cilën nuk munda ta shihja”. Larg familjes së tij në Nju Jork dhe me frikën e dëbimit, Khalil kaloi muaj të tërë në ankth, ndërsa administrata Trump përpiqej ta dëbonte nga vendi për shkak të rolit të tij në protestat pro-Palestinë në Universitetin Columbia. Sot, ai kërkon që të njihet përgjegjësia, duke folur për “hakmarrje politike dhe abuzim me pushtetin”. Për këtë arsye, ai ka ngritur një padi kundër presidentit të Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar 20 milionë dollarë dëmshpërblim për arrestimin dhe ndalimin që i është bërë nga agjentët e emigracionit.
Por Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat. “Deklaratat e Khalil-it janë absurde,” tha zëdhënësja Tricia McLaughlin në një reagim për Associated Press, duke e akuzuar Khalil-in se ka promovuar “sjellje dhe retorikë urrejtjeje” që, sipas DHS-së, kanë rrezikuar sigurinë e studentëve hebrenj. McLaughlin theksoi gjithashtu se veprimet e qeverisë ishin “plotësisht të ligjshme”.
Për muaj të tërë, Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, ka pohuar se kishte të drejtën të dëbonte Khalil-in, duke u mbështetur në një ligj të përdorur rrallë, që i jep autoritet të dëbojë persona që përbëjnë “rrezik serioz të mundshëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Por gjatë procesit gjyqësor, avokatët e tij arritën të dëshmojnë disa herë se Khalil nuk përbënte rrezik për askënd. Dhe në qershor, gjyqtarët shpallën jokushtetuese zbatimin e atij ligji në rastin e tij, duke çuar në lirimin e tij.
“Unë mbaj përgjegjës qeverinë e Shteteve të Bashkuara, jo vetëm për atë që më ka ndodhur mua, por për të gjithë ata që ajo përpiqet t’i heshtë përmes frikës, dëbimit ose burgimit.”/ La Repubblica


