Njëra nga format e shantazhit nga trafikuesit me qenie njerëzore, janë videot me pamje intime të incizuara paraprakisht dhe kërcënimet se të njëjtat do të publikohen apo do të dërgohen te familjarët e vajzës. Kjo formë e shantazhit në shoqërinë tonë vijon të shihet si shumë shqetësuese, duke shtuar faktin se shumica e këtyre viktimave të trafikimit janë nën moshën 18-vjeçare.
Rasti më i fundit ishte ai i dy të miturave në Prizren ku njëra pas tjetëres u hodhën nga pallati duke shkaktuar kështu vdekjen e tyre. Mirëpo, vetëm disa javë pas ngjarjes së rëndë prokuroria ka dalë në konkluzionin se të rejat, të dyja shoqe me njëra tjetrën janë shantazhuar.
Çfarë ndodhi:
Vetëvrasja e dy shoqeve nga Prizreni është një ngjarje ende e pazbardhur dhe plot mister. Kështu, gati një muaj pasi një nxënëse e shkollës së mjekësisë u hodh nga kati i pestë i një ndërtese, e pas dy javësh edhe shoqja e ngushtë, Prokuroria në Prizren po heton disa pista që mund të kenë çuar deri në vdekjen e dy të miturave. Shantazhi dhe shtytja në vetëvrasje, këto janë dy nga pistat të cilat po hetohen nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.
Një nga viktimat
Viktima e parë kishte vizatuar në bankë një dorë e më pas e kishte kryer aktin. Pak ditë më vonë, një dorë tjetër ishte vizatuar nga viktima tjetër, e cila pasi kishte përfunduar mësimin kishte vrapuar drejt ndërtesës nga e cila dhe u hodh. Ndërkohë, një tjetër nxënëse e kësaj shkolle ka përfunduar në psikiatri. Nga ana tjetër, banorët e Prizrenit kanë thënë se në qytetin e tyre janë duke funksionuar disa banda kriminale që po i shantazhojnë të rinjtë në këmbim të parave. Por, dyshime të tjera ka hedhur në dritë një aktiviste e shoqërisë civile. Lyde Malsori, në një reagim të saj pas dy tragjedive, ka përmendur një ekskursion të nxënësve të shkollës së Mesme të Mjekisë “Luciano Motroni” në Prizren.
“Video të ndryshme qarkullojnë mes nxënësve ku dyshohet të jenë edhe profesorët të përfshirë!!!”, thotë ajo për ekskursionin, por pa treguar përmbajtën e tyre. “ÇFARË KA NDODHË NË ATË EKSKURZION??? ASKUSH NUK MERRET ME KËTË TRAGJEDI!!! As ne jo????!!! Edhe sikur të jenë vetëvrasje të lira(çfarë dyshoj fortë), policia e Kosovës duhet ta sqaroj këto raste deri në detajin e fundit, pa lënë dyshimin më të vogël!!!”, ka shkruar Malësori në ‘Facebook’.
I bënte presion i dashuri, burri e paralajmëroi për divorc, 17-vjeçarja tenton të vrasë veten në litar.
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Lishan i Epërm i Dibrës, ndërsa policia arrestoi bashkëfshatarin e vajzës, 51- vjeçarin Shkëlqim Murrja.
Babai i gjashtë fëmijëve akuzohet për kanosje të adoleshentes, duke e shtyrë drejt vetëflijimit. Burime pranë Komisariatit të Policisë Peshkopi bënë me dije se A.S., 17 vjeçe, është gjetur e vetëvarur nga prindërit e saj dhe është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja:
Vajza 17 vjeçe ishte e martuar, por herë pas here ajo kërcënohej nga Shkëlqim Murrja, babai i 6 fëmijëve.
“Murrja i kishte blerë një telefon dhe një kartë celulari A.S. dhe i telefononte herë pas here. Shpesh ai e kërcënonte dhe kontrollonte çdo lëvizje të saj. Sidomos kur kthehej në shtëpinë e prindërve dhe kur ata nuk ishin aty, Murrja frekuentonte banesën e vajzës”, tha një zyrtar i Policisë Dibër.
Kur bashkëshorti 24 vjeç i A.S. zbuloi se gruaja e tij mbante një telefon pa lejen e tij, ai ia ka marrë dhe ia ka shkatërruar, me mendimin se ajo nuk do të siguronte kartë tjetër telefoni. Pak ditë pas ngjarjes Shkëlqim Murrja i zë rrugën përsëri 17-vjeçares dhe i jep një kartë tjetër, madje e kërcënon duke i kërkuar që lidhja të vazhdojë.
Kur bashkëshorti ka rizbuluar se A.S. vazhdonte lidhjet me një person tjetër, ka vendosur të organizojë një takim me të afërmit e gruas, kryetarin e fshatit dhe Shkëlqim Murrjan, duke treguar gjithë historinë e lidhjes mes gruas së tij dhe 51-vjeçarit.
Vetëvarja
“Mbrëmjen e së dielës, kur familjarët e 17-vjeçares po darkonin ajo ka mbërritur në kasollen e bagëtive, afro 70 metra larg shtëpisë dhe është vetëvarur. Prindërit që e mbanin nën kontroll për shkak të divorcit dhe kërcënimeve të Shkëlqim Murrjes, janë shqetësuar për mungesën e vajzës dhe kanë nisur të kontrollojnë përreth banesës. Nëna ishte e para që gjeti vajzën e varur në trarët e kasolles, teksa po jepte shpirt. Pasi i është hequr litari nga fyti është dërguar me shpejtësi në spitalin e Peshkopisë, në gjendje të rëndë”.
Pasi e përdhunoi, i riu e shantazhonte të miturën: Do t’u them të gjithëve nëse s’bën seks me mua
Një 19-vjeçar ka shantazhuar një të mitur në qytetin e Tiranës duke i kërkuar marrëdhënie seksuale në këmbim të sekretit. 19-vjeçari Erald X. ka kërcënuar 14-vjeçaren se do të tregonte që ajo nuk ishte e vrigjër nëse nuk kryenin marrëdhënie seksuale.
Historia nisi në vitin 2014 kur Erald X. shfrytëzoi rastin kur vajza ishte vetëm në shtëpi dhe pasi hyri me forcë e përdhunoi. Që prej asaj dite ai i kërkonte vazhdimisht të bënin seks duke e shantazhuar.
Makthi i të miturës përfundoi kur e ëma gjeti abuzuesin një ditë në shtëpinë e saj të fshehur në një dollap. Ajo ngrit padi ndaj të riut i cili është dënuar me 10 vjet burg.
Përgatiti: AlpeNews.al





