Rreth 38% e popullsisë në Shqipëri është angazhuar në bujqësi, por ky sektor kontribuon shumë pak në rritjen ekonomike të vendit.
Ora News ka ndjekur një ditë pune të fermerëve në Divjakë, ku vështirësitë e punës në arë nuk marrin mbështetjen nga shteti në infrastrukturë, subvencione dhe tregje. Por Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, premton një vit ndryshe, nisur nga rritja me 15% e buxhetit. Kjo speciale u përgatit nga gazetarja Nertila Dosti.
Divajke- Në familjen Gjoni në Divjakë dita e punës nis me lindjen e diellit dhe mbyllet pas perëndimit. Kozmain 56-vjeç, e gjejmë të bërë gati për punë teksa lë banesën, veshur me çizme dhe rroba jo fort të mbajtura. Na pret ngrohtë e në mendje të risjell traditën shqiptare të mikpritjes që duket më e fortë në çdo kilometër që i largohesh metropolit. Bisedat me të janë të shkurtra pasi koha nuk pret e ngutet për në arë.
Në Divjakë, syri nuk të ndesh asnjë pëllëmb tokë të lënë djerrë, fermerët i kanë kthyer ato në hambare ku marrin jetë me dhjetëra kultura bujqësore. Kozma Gjonit ligji 7501 ia ka shpërndarë tokat në të katërtra anët e Divjakës, ku më të afërtën atij i duhen të paktën 10 minuta dhe më të largëtën për rreth gjysëm ore.
Ai i ka qëndruar besnik tokës prej 27 viteve duke mbjellë kultura të ndryshme si shalqiri, patatja, karrota e lulelakra. Për 65 vjeçarin bujqësia nuk është vetëm një burim të ardhurash, me të ka të lidhur ngushtë jetën.
Me paratë e përfituara nga shitja e prodhimeve ka mbajtur ekonominë e shtëpisë, ka arsimuar tre fëmijë dhe i ka dhuruar vetes një strehë. Thotë se këto pasuri nuk janë pak, e jetës i është mirënjohëse.
Por Kozmai nuk do t’ia dilte mbanë pa bashkëshorten e tij Lirinë. Sot ajo është 59 vjeç, kohën e ka ndarë mes tokave, kujdesit për shtëpinë dhe rritjes së fëmijëve. Liria shprehet se nuk e njeh ditën e pushimit dhe as gjatë festave.
Kozma Gjonin nuk e lodh puna, por përpos dashurisë e përkushtimit nuk i fsheh as vështirësitë. Në Divjakë fermerët nuk kanë qasje në treg për prodhimet e tyre edhe pse në qytet ndodhen 8 pika grumbullimi.
Por edhe kur fermerët i takon fati me tregtarë, çmimi që i ofruar për prodhimet nuk justifikon shpenizmet e as mundin e djersën e tyre. Kozmai tregon se përgjatë vitit 2017 një kilogram lulelakër tregtohet me 15 lekë, po ashtu dhe karrotat ndërsa patatja 25 lekë. Shpesh herë ai duhet të vendos shenjën e barazisë me investimit dhe lekëve të përfituara.
Inputet bujqësore si farat, plehrat apo kimikatet e ndryshme jane të shtrenjta, ndërsa mungesa e certifikimit i bën produktet jokonkurruese në treg.
Ndërsa subvencionet në këto anë duken si legjendë. Për t’i përfituar ato duhet të kalosh me dhjetra peripeci.
Për Kozma Gjonin shteti është thuajse inekzistent.
Listes së vështirësive i shtohet edhe mungesa e magazinimit. Në shumë raste fermerët detyrohen të përshtasin ambiente të vjetra si kasolle apo shtëpi për të magazinuar prodhimin, ambiente këto që nuk i përmbushin kushtet.
Pas grumbullimit të patates në thasë e arka, 65 vjeçari nis rrugën për tregtimin e tyre. Por duket se fati këtë herë nuk është në anën e tij.
Tregtari nuk ia pranoi prodhimin pasi i frikësohet temperaturave të ulta. I gjendur në këtë situatë Kozma Gjoni nuk ka tjetër zgjidhje përveçse të kthehet në shtëpi.
Pas Divjakes ne Spolat
Pas Divjakës, ku lëmë Kozma Gjonin me shpresë për të nesërmen marrim rrugën për në fshatin Spolat ku na pret një tjetër fermer. Në këtë fshat 85% e banorëve merren me bujqësi dhe pranë çdo banese syri të ndesh të paktën një serë.
Kudret Deja, ka me të mbjella 8 dynym tokë, një pjesë të konsiderueshmë të prodhimit e eksporton në vende si Rumania, Bullgaria e Çekia. Me siguri thotë se nuk abuzon me pesticidet dhe prodhimi i tij është cilësor.
Produktiviteti bujqësor shpesh pengohet edhe nga njohuritë e kufizuara apo edhe pajisjet e vjetëruara që përdoren për punimin e tokës. Në mungesë së specialistëve të bujqësisë, Kudretit i është dashur të jetë edhe agronom dhe të mësoj nga gabimet e së shkuarës.
Fermerët në këto anë i bashkojnë të njejtat shqetësime, mungesa e tregjeve, inputet e shtrenjta dhe mungesa e subvencioneve.
50 vjeçari, të cilit vitet i reflektohen me vështirësi në tiparet e fytyrës, thotë se bujqësia është puna që di të bëj më mirë, emocionohet kur flet për të dhe braktisjen nuk e sheh si alternativë.
Agronomët në Divjakë edhe pse të pakët në numër përpiqen t`ju gjenden pranë fermerëve t`i asistojnë dhe ti këshillojnë. Për Llazër Miletin, të gjitha prodhimet që kultivohen në serat e Spolatës janë cilësore, tregues është eksportimi i tyre në tregjet evropiane që sic thotë ai nuk pranojnë produkte që nuk përmbushin standardet.
Krah fermerët kanë specialistët e politikave bujqësore. Profesor Ndoc Fasllia shpreh rezerva për politikat që qeveritë kanë ndjekur në 27 vite për bujqësinë e thotë se ky sektor nuk është financuar sa duhet.
Nderhyrjet urgjente
Por si mund të përmirësohet situata? Cilat janë rrugët që duhet të ndjekë shteti për t`u ardhur në ndihmë fermerëve? Profesor Ndoc Fasllia sygjeron: “Të rritet buxheti për bujqësinë. Në kuadër të kësaj të rritet pjesa që shkon për të financuar subvencionet në bujqësi. I gjithë programi i mbështetjes të synojë prodhuesin, fermerin. Pa rritur prodhimin vendas shanset për të pasur sukses në hapat e tjera janë të vogla.
Ka ardhur koha të ndërhyhet urgjentisht në atë pjesë të shpenzimeve në fermë që rëndon më shumë koston e prodhimit. Kush është hallka që rëndon koston e prodhimit: Nafta, karburanti dhe imputet bujqësore.
Këtu nuk kam parasysh dhënien e karburantëve me bidonë sic u bë dikur apo shpërndarja e plehrave kimikë falas. Jo qeveria duhet që në skemën e subvencionit të përfshijë dhënien e shpenzimeve të nevojshme për punimet me mjete mekanike për një ha tokë të kultivuar.
Ministria e Bujqesise optimiste
Në Ministrinë e Bujqësisë rritja me 15% e buxhetit i bën drejtuesit e këtij institucioni optimistë. Zëvendësministri Ilir Halilaj thotë se me fondin prej 2.6 miliardë lekësh do të mbështeten prioritetet që Ministria e Bujqësisë ka vendosur për vitin 2018.
Skema mbështetëse e vitit 2018 për zevendesministrin Halilaj përpos subvencionimit do të lehtësoj edhe barrën e certifikimit të produkteve për fermerët.
Sipas Institutit të Statistika në Shqipëri rreth 38% e popullsisë merren me bujqësi, por kontributi që ky sektor jep në rritjen ekonomike të vendin është i papërfillshëm krahasuar me sektorët e tjerë. Sipas INSTAT në tremujorin e dytë të vitit 2017 Prodhimi i Brendshëm Bruto vlerësohet me rritje prej 4,06% kontributin kryesor e ka dhënë ndërtimi me 1.84 pikë përqindje ndërsa bujqësia ka një ndikim prej 0.43 pikë përqindje.


