Të gjithë shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza në 43 vende në të gjithë botën.
Por kjo listë sa vjen dhe shtohet në numër si pasojë e rritjes së marrëdhënieve të vendit tonë me vende të ndryshme të botës.
Në janar të këtij viti u paralajmërua nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme se Kanadaja, Kolumbia, Moldavia, Gjeorgjia, Ishujt e Trinidad dhe Tabako, Kina, dhe Rusia do të ishin disa prej vendeve që do të nënshkruanin marrëveshje për heqjen e vizave me Shqipërinë.
Dhe kështu ndodhi.
Në shkurt të këtij viti u firmosën marrëveshjet me Gjeorgjinë dhe me Ishujt Trinidad e Tabako për t’u finalizuar me heqjen e vizave për të dy palët e shtetasve.
Në vendimin e radhës të Këshillit të Ministrave në maj të këtij viti u firmos marrëveshja mes Shqipërisë me Moldavinë, dhe mes Shqipërisë me Kolumbinë.
Ky lajm gëzoi shumë turistë shqiptarë të cilët kanë dëshirë që të vizitojnë shtetin e Kolumbisë.
Kjo pasoi me vendimin që Kanadaja mori për të gjithë shtetasit e Bullgarisë dhe Rumanisë për të hequr vizat. Ky lajm ishte i rëndësishëm edhe për shtetasit shqiptarë të cilët janë të shumtë në numër përsa i përket pasjes së një pasaporte bullgare ose rumune.
Së fundmi, Armenia po planifikon lëvizjen e lirë pa viza për shtetasit e Shqipërisë, Turkemnistanit, Libanit dhe Kanadasë duke nisur nga data 10 korrik 2018.
Ndër 43 vendet janë gjithashtu dhe vende mjaft të njohura si destinacion turistik, por edhe vende për t’u eksploruar. San Marino dhe Monako janë dy shtete të vogla, por me një turizëm për t’u patur zili.
Nga ndryshimet e kryera në marrëveshjet mes qeverisë shqiptare dhe vendeve që kanë hequr ligjin e vizave po ju listojmë mëposhtë të gjithë vendet që mund të vizitohen nga shtetasit shqiptarë.
Shtetet ku mund të udhëtohet pa vizë afatshkurtër janë: Bosnia, Brazili, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjeorgjia, Gjermania, Holanda, Hong Kongu, Hungaria, Islanda, Italia, Izraeli, Korea Jugore, Kroacia, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Makao, Malajzia, Mali i Zi, Malta, Maqedonia, Monako, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Qipro, Çekia, Rumania, San Marino, Serbia, Singapori, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Turqia dhe Zvicra.
Ndërsa në Egjipt, Bjellorusi dhe Haiti viza afatshkurtër merret në kufi.
/AlpeNews.al


