Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, ishte sot e ftuar në studion e “Breaking” për të folur për sezonin turistik, ku u shpreh se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme.
“Sezoni turistik ka riskun e vet, aksidentet rrugore apo elementë të tjerë që duhet të kujdesemi. Kemi një plan masash që është miratuar nga kryeministri. Shqipëria është duke e fituar betejën me Covid, nuk e kemi fituar ende. Duhet t’u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos humbasin vigjilencën, por të respektojnë të gjitha masat që ta kalojmë këtë pandemi e mos të kemi rikthim të rasteve”, tha Kuko.
Kjo e fundit u shpreh se në një mbledhje rutinë kanë aprovuar protokollin e detyrave të çdo institucioni.
“Turizmi është një nga burimet e ekonomisë shqiptare. Nga njëra anë duhet të kemi respektim të masave. Kemi diskutuar në lidhje me mënyrën se si do të kontrollohen këto masa. Të ketë një monitorim që nuk bezdis bizneset dhe qytetarët që pushojnë”, tha zv.ministrja e Brendshme.
Kuko u shpreh se do të ketë një shtim të kontrollit rrugor dhe se policia do të bëjë një fushat ndërgjegjësuese, sidomos për pushuesit shqiptarë që shkojnë në bregdet.
E pyetur në lidhje me kufijtë, Kuko u shpreh se do të ketë personal të shtuar dhe procedura të lehtësuara për pushuesit.
“Me vendet fqinje kemi komunikuar në lidhje me kufijtë dhe turistët, por ne nuk mund t’u themi se çfarë të bëjnë me masat e tyre anti-Covid”, tha zëvendësministrja e Brendshme.
Gjithashtu Kuko foli edhe për një aplikacion që shumë shpejt do t’i vijë në ndihmë qytetarëve shqiptarë.
“Brenda një jave mbarojmë përditësimet e aplikacionit, ku qytetarët mund të ankohen për gjërat që shohin në terren. Gjithashtu do të marrin njoftime në kohë reale se çfarë ndodh në territor. Nëse ndodh një aksident, merr informacion në kohë reale e të thotë kalo në një rrugë tjetër”, tregoi Kuko.
Ndërsa në lidhje me fushatën e ndërgjegjësimit, zv.ministrja e Brendshme tha se fillimisht është për aksidentet rrugore.
“Të rinjtë mund të përdorin alkool dhe më pas përdorin makinën. Kjo përbën shkelje penale dhe paraqet një rrezik për ta dhe për të tjerët. Pastaj do kemi fushatë me sigurinë në përgjithësi, këshilla praktika se si të ruajnë shtëpitë kur qytetarët largohen me pushime. Fushata në terren, ku policia do të kontaktojë me qytetarët”, tha ajo.
Sipas Kukos, siguria në plazhe dhe det është shtuar dhe se kemi ulje të njerëzve që humbin jetën aty.
“Në 2019 kemi pasur një ulje të njerëzve që kanë humbur jetën në det, sepse kemi vendosur detyrimin e rojeve të plazheve. Motorët e ujit të mos lundrojnë me lehtësi të madhe, por të kenë orarin e tyre. Inspektimet që do të bëhen do të sigurohen a ka persona që po abuzojnë me motorët e ujit apo të tjerat”, tha Kuko.


