Tre persona kanë përfunduar në pranga dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Overpass”, ku u sekuestruan plot 31 kg lëndë narkotike kanabis sativa.Operacioni u ndërmor nga Policia e Vorës, pas një hetimi disamujor bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative. Policia tha se ka arrestuar shtetasit: Devi Mene, 29 vjeç, banues në Laprakë; Florjan Tereziu 36 vjeç, banues në Vorë dhe Adi Sheteli, 26 vjeç, banues në Vorë. Gjithashtu, në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit J. Z., 30 vjeç dhe E. S., 22 vjeç.
“Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa në sasi të mëdha dhe më pas e shisnin atë me pakicë te persona të tjerë”, sqaroi Policia.
AKSIONI
Pas informacioneve, Policia organizoi operacionin për arrestimin e tyre duke u pozicionuar në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës. Pikërisht në këtë aks, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar një automjet, brenda të cilit dyshohej se kishte lëndë narkotike të llojit cannabis sativa. Gjatë kontrollit të këtij automjeti janë gjetur 29 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, me një peshë totale 31 kg.
“Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit F. T. dhe A. Sh., me detyrë operatorë të kamerave, kanë ndërhyrë në serverat e kamerave të sigurisë, për të fshirë pamjet e regjistruara. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, sqaroi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


