Nga një dëgjesë e shpejtë mbi audio-përgjimet e prokurorisë italiane, del një fakt që u ka “shpëtuar” dhe atyre që e kanë publikuar e cila nëse merret me të njëjtin seriozitet siç merren broçkullat e Habilajve “e shpëton” Saimir Tahirin nga e gjithë batërdia e akuzave që prej javësh hidhet mbi të.
“Saimiri nuk donte lekë… normal, të merret Saimiri me ata”, është fraza .
“Saimiri nuk donte lekë”, i thonë kushërinjtë e gjashtë njëri-tjetrit, (minuta 1:30 në videon e politiko.al) në një bisedë që zhvillohet qindra kilometra nga Tirana dhe për të cilën natyrisht Saimiri nuk ka asnjë dijeni.
“Saimiri nuk donte lekë”, thonë Habilajt.
Po si kështu? A nuk ishte Saimir Tahiri ai që “fitonte 5 milion euro në muaj” dhe po ky që “bleu zgjedhjet me 20 milionë euro”? Të paktën për këtë e akuzoi opozita, fill pasi kjo histori u plas në media.
“Saimiri nuk donte para”, përsërisin Habilajt për Tahirin, të cilin prokuroria e akuzon si kreun e një grupi të rrezikshëm kriminal.
Po ç’është ky kryetar grupi kriminal që nuk do para?
Kreu i grupit kriminal që nuk merr para është një logjikë që nuk qëndron. Ose Tahiri është kryekrimineli më budalla në botë ose këtu kemi të bëjmë me një bisedë të thjeshtë banditësh, të cilët duke përfituar nga një lidhje e largët gjaku me një ministër, mburren me njëri-tjetrin se kush e mban më mirë me Saimirin.
Fatmirësisht për Saimirin, ai i paska refuzuar këto para.
Për të mos folur pastaj qe bëhet fjalë për kushërinj qe sipas përgjimëve, nuk e dinin nëse Saimiri kushëri i tyre është Kryeministër apo Ministër i Brendshëm.
A mund të ndodhë që anëtarët e organizatës kriminale të mos e dijnë çfarë punë bën kryetari dhe anëtari më i fuqishëm i bandës së tyre?
Të tilla detaje absurde ka pafund në përgjimet e Habilajve, si ndoshta kriminelët më karagjozë e ordinerë që ka njohur media shqiptare, pas Dan Bilzerianit në Shkodër që u arrestua si koka e krimit të organizuar në atë qytet.
Kaq mjafton për të kuptuar se ata që zgjodhën të publikojnë audio-përgjimin e dosjes “Habilaj” i kanë bërë pa dashur Saimir Tahirit shërbimin më të madh, duke bërë transparencë mbi një pjesë të rëndësishme të kësaj dosjeje.
Siç shkruan Andi Bushati në editorialin e fundit në lapsi.al duke ju referuar dosjes “Tahiri”, “çdo abuzim, çdo tejkalim i së drejtës, çdo tentativë për t’a përdorur vend e pa vend si ushqim për militantët fanatikë, do ta zhvlerësonte atë”.
Andaj, Habilajt mund të jenë kriminelët më të mëdhenj të kësaj bote, por që ata t’i thonë njëri-tjetrit që Saimiri nuk merr para, kjo është një dekoratë në gjoksin e këtij të fundit.
Kjo frazë, e thënë si pa dashje dhe e nënvleftësuar me dashje nga mediat vlen më shumë se 1 vendim gjykate, më shumë se 10 alibi të ish-ministrit, 100 lavde të harruara të Edi Ramës, 1 mijë artikuj ‘pro’ Tahirit, 10 mijë mbështetës të tij në Tiranë apo 100 mijë vota si kapital politik i së ardhmes.
Nëse Saimir Tahiri ka marrë apo jo gjerdan dhuratë nga kushërinjtë e largët, këtë do ta vërtetojë drejtësia. Por, edhe nëse e ka marrë, ai e ka pranuar nga Habilajt servilë-kushërinj dhe jo nga Habilajt banditë-hashashi.


