Titulli: Kambana e qelqtë
Autori: Sylvia Path
Numri i faqeve: 258
Çmimi: 1000 lekë
Zhanri: Roman a clef (novelë për jetën reale,por me një fasadë fantazie në ngjarje apo emra personazhesh)
Botime Pegi 2017
“Kambana e qelqtë” me titullin origjinal “The bell jar” është novela e vetme e shkruar nga Sylvia Path. Si fillim, libri u publikua nën pseudonimin “Victoria Lucas” në 1963 dhe u njoh nën emrin e saj vetëm në 1967. Është thuajse gjysmë autobiografi pasi ajo rrëfen ngjarjet e jetës së saj duke i ndryshuar emrat e vendeve dhe personazheve.
Ester Greenwood, personazhi kryesor që rrëfen dhe ngjarjen është një vajzë e re, inteligjente dhe ambicioze, që ka arritur çdo gjë që ka dashur në jetë. Por në një verë në New York ajo e gjen veten të humbur dhe çdo ëndërr që ka arritur i duket si një vegim distant. Humb kuptimin e asaj që bën, vuan një “presion” për t’u martuar apo e çorodit jeta e natës… çfarë do të ndodhë me të? Kjo ju mbetet vetëm ta lexoni, për problemet emocionale dhe mendore dhe zgjidhjen që ajo i jep.
Një libër që të bën pjesë të mendimeve të Plath dhe të tregon se si njeriu mund të ndihet shumë i izoluar dhe pse i rrethuar me njerëz. Libri gjithashtu tregon dhe anën tjetër të ambicies: Esteri që nis nga asgjëja, arrin shumë dhe më pas e gjen veten në New York ku ka humbur dhe të gjithë ambicien e pasionin. Nuk lexon apo shkruan dot më, dhe është e lodhur me gjthçka që arrin: edhe pse notat janë të shkëlqyera, nuk arrijnë të mbushin boshllëkun në të.
Një temë tjetër që mbulon është dhe roli i gruas dhe vajzave në shoqëri. Shpesh ndërtohen pritshmëri që të ushtrojnë presion për të ndërtuar një version jo real tëndin. Gjithashtu prek edhe në disa momente çështjet e virgjërisë dhe seksualitetit.
“Kambana e qelqtë” është një novelë që do ju mbajë të mbërthyer ta lexoni, pasi në fragmente të veçanta e sigurtë që do gjeni pjesë të vetes suaj. Edhe pse duket shumë i trishtë për t’u lexuar, marrë dhe nga fakti që vetë autorja vret veten një muaj pas publikimit të librit, është një libër me plot kuptim. Nuk po ju zbuloj më shumë, blijeni në Panairin e Librit dhe do ta përfundoni me një frymë.