Nxënësit e shkollës “Fan Noli” janë në zi, teksa vajtojnë vrasjen e shokut të tyre, 14-vjeçarit Martin Cani.
Ai humbi jetën pasditen e të hënës, pas një sherri me disa bashkëmoshatarë. Shokët e klasës së 9, ku Martini ndiqte mësimin, janë të gjithë të prekur. Ata kanë vendosur lule të bardha në bankën ku ai ulej, e cila prej të hënës është bosh.
Në një postim në rrjete sociale ku duken lulet e bardha shkruhet “Sa bosh duket klasa pa ty, në zemrat tona do të jesh gjithë jetën”.Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e hënë gjatë një përleshjeje fizike mes disa adoleshentëve, 200 metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Autori dhe viktima ishin konfliktuar të premten dhe e vijuan zënkën edhe ditën e hënë. Autori kishte thirrur një shok të tij, nxënës i shkollës “Fan Noli”. Nga ana tjetër, viktima, Cani, kishte thirrur një shok nga një shkollë tjetër, me të cilin luante në ekipin U-15 të Dinamos.
Gjatë përplasjes mbeti i plagosur edhe shoku i viktimës, Luiz Meçja, ndërsa autori mori një plagë aksidentale në parakrah.


