Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri , ka zbuluar mbrëmjen e sotme se do të ketë një rrugë alternative nga Kashari për në Rrogozhinë që do të jetë me pagesë.
“Kompletimi i aksit nga Thumana në Kashar dhe nga Kashari në Rrogozhinë kundrejt pagesës, është një projekt alternativ do të lehtësojë trafikun. Ka ardhur një studim fizibiliteti. Nuk është ndonjë blasfemi pagesa. Kushdo që do ta bëjë rrugën më gjatë i bie nga Durrësi dhe kushdo që do të shkojë 30 minuta më herët le të kalojë nga Rrogozhina”, tha Gjiknuri, në studion e Oraneës.
Sipas tij, Thumana do bëhet përmes Projektit të Partneritetit Publik Privat i cili po shikohet, pra ka një projekt paraprak.
“Ka një propozim, është një projekt i cili është studiuar nga Autoriteti Rrugor, ka kaluar dhe Këshillin Teknik. Duhet të kuptoni që nuk ka mashtrim në rrugë. Ajo vepër do bëhet me parametrat më të mirë ndërkombëtarë se do jetë një autostradë e shpejtë me 140 km/h. Pra do jetë me korsi shpejtësie dhe do jetë një autostradë me parametrat më të mirë. Ka shumë vepra arti, ka shumë mbikalime prandaj del ajo kosto. Nëse duam rrugë me standarde dhe që të jetë e sigurtë, jo që të hyjë kushdo, hyn karroca, hyn njeriu. Këtej duam dhe standarde, dhe shpejtësi, por kushtojnë. Rrugët kushtojnë, ka çmime të miratuara. Asnjë rrugë nuk do kalojë limitet e miratuara nga qeveria shqiptare. Vendet e tjera mund të kenë kosto dhe më të larta, ne kemi pranuar ato që kemi. Këto janë gjëra të verifikueshme”, tha Gjiknuri


