Numri i lartë i të infektuarve me Covid-19 ka bërë që në Prishtinë të shikojnë mundësinë e kthimit të hoteleve në spitale ose qendra për kurim të përkohshëm. Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë se numri i të infektuarve me Covid-19 në Kosovë do të vazhdojë të rritet ditët në vazhdim.
“Rritja e numrit të infektuarve ka qenë e pritur dhe ky nuk është fundi. Ne besojmë që do të jetë numri ende më i madh duke u bazuar edhe në rritjen e numrit të testimeve i cili po kryhet në nivel të Kosovës. Afër 30 për qind i kemi raste të infektuara në territorit të Prishtinës, por që 40 përqindëshi është në nivel vendi. Është përqindja e madhe krahasuar me shtete tjera. Ne kemi kërkuar që të bëhen më shumë testime edhe në komuna të tjera. E vetmja mundësi e mbrojtjes nga ky virus është mbajtja e distancën dhe vendosja e maskës”, ka thënë Nushi.
Më tej, ai ka thënë se në shtete e tjera po kthejnë hotelet në spitale Covid-19, ndaj kërkoi që kjo të merret parasysh dhe në Kosovë.
“Në shtete të tjera po selektohen edhe hotelet për të shërbyer si spitale të përkohshme. Pse kjo të mos aplikohet edhe në Kosovë. Mendoj se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal që të bëjë përzgjedhjen e këtyre hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të strehohem ose të vendosen personat e infektuar. Çështja më kryesore është që kapacitetet shëndetësore vetëm në QKUK duke përfshirë edhe klinika të tjera si ajo e Pulmologjisë mund të jenë të stërmbushura dhe duhet të gjendet rrugëdalje nga kjo situatë e cila nuk do të jetë e lehtë dhe e shkurtër”, u shpreh nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi.
Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 29.117 nga 118.946 persona të testuar për Covid-19, ndërsa numri i vdekjeve është 822.