Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të shitjes së bukës në Korçë, pas raportimeve të News24 për një rritje të menjëhershme të çmimit.
Sipas raportimit të News24, ndërmarrjet e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qytet kanë njoftuar pikat e shitjes se çmimi i bukës do të rritet nga 120 në 150 lekë, duke shënuar një rritje me mbi 25%.
Në reagimin zyrtar, Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se, në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ka nisur menjëherë kontrolle në terren për të verifikuar nëse ky vendim po zbatohet nga bizneset dhe nëse bëhet fjalë për një marrëveshje të koordinuar që shkel ligjin.
Sipas institucionit, ligji ndalon çdo marrëveshje mes ndërmarrjeve që ka si qëllim apo pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht rastet kur përcaktohen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e shitjes së produkteve.
Autoriteti thekson gjithashtu se shkelja e këtij ligji përbën kundërvajtje administrative dhe mund të ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore të ndërmarrjeve që rezultojnë të përfshira në marrëveshje të paligjshme.
Reagimi:
Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione në media në lidhje me njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%, ngriti menjëherë një Grup Pune për monitorimin e këtij tregu.
Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të tregtimit të bukës se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.


