Prej disa javësh, vendi po përballet me një valë të lartë çmimesh. Përveç rritjes së çmimit të karburanteve, sot më shtrenjtë kushtojnë edhe produktet e shportës. Kjo ka çuar në 3.7 për qind normën e inflacionit, e cila mbeti e pandryshuar edhe përgjatë muajit janar.
delina
Në një konferencë për mediat, ndërsa prezantoi të dhënat kryesore të ecurisë ekonomike për vitin 2021 dhe muajin janar 2022, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se normalizimi i çmimit pritet të ndodh në 6-mujorin e dytë të vitit. “Dua të ndalem te çmimet e karburanteve dhe dua të theksoj se karburantet kanë efektin më të lartë të inflacionit të importuar, pra të çmimeve të rritura, nga konjukturat ndërkombëtare. Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare midis kërkesës dhe ofertës së limituar. Pra, kërkesës së shtuar, të ardhur nga aktiviteti i shtuar ekonomik, jo vetëm në vendin tonë, por në gjithë vendet e rajonit dhe ofertës së limituar për të mbuluar këtë kërkesë. Nga ana tjetër, çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit dhe stokut të ulët të gazit në shtetet evropiane. Rritja e çmimit të gazit solli gjithashtu dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke qenë se 1/5 e prodhimit të energjisë elektrike në Evropë bazohet në gazin natyror. Megjithatë në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare flasin për uljen graduale të çmimit të naftës dhe të produkteve të energjisë elektrike në periudhën afatmesme, duke filluar nga 6-mujori i dytë i këtij viti”, tha Ibrahimaj.
TË ARDHURAT
Ministrja tha se të ardhurat dhe shpenzimet për vitin 2021 kanë shënuar rritje në krahasim me vitin paraardhës. Të ardhurat janë rritur 20 % në krahasim me vitin 2020 ndërkohë që shpenzimet janë rritur me 21.2 %. Duke analizuar faktorët që kanë çuar në rritjen e të ardhurave, Ibrahimaj vuri në dukje se një prej tyre është dhe reforma e fiskalizimit, në zbatim të së cilës deri më tani kanë nisur procesin e fiskalizimit 89.4% e biznesit të madh dhe 87% e biznesit të vogël. Aktualisht, numri i bizneseve që kanë përfunduar procesin e fiskalizimit dhe janë të afta të lëshojnë fatura është 72.309. Një tjetër faktor në rritjen e të ardhurave është rritja ekonomike e vitit 2021 në raport me vitin 2020, ku për 9-mujorin e vitit 2021 rritja ekonomike llogaritet të jetë 10.33%.
BORXHI PUBLIK
Gjatë fjalës së mbajtur, ministrja i dha përgjigje edhe akuzave të Presidentit Meta për rritjen e borxhit publik. “Nëse do t’i hedhim një vështrim treguesve më të fundit të borxhit publik, pavarësisht kalimit të dy krizave të njëpasnjëshme, ajo e tërmetit të vitit 2019 dhe pandemia COVID-19, në fund të vitit 2021 borxhi publik është stabilizuar në nivelin 78.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky vit pritet të iniciojë një trajektore rënëse të borxhit, e cila do të vijojë dhe për të gjithë periudhën afatmesme. Borxhi është më i ulët se sa parashikimi më i fundit që kishte bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2021 prej 80.1%. Sigurisht që kjo ka ardhur si rezultat si i performancës së mirë në mbledhjen e të ardhurave, çka ka çuar dhe një rënie të deficitit, i cili është materializuar në një nivel më të ulët se sa ishte parashikuar në fund të vitit. Në fund të vitit ne kishim në parashikim prej 6.8%, ndërkohë që deficiti ka shënuar 4.8%”, tha Ibrahimaj. Në mbyllje, ministrja theksoi se “treguesit e punësimit treguesit e tregtisë së jashtme janë pozitive dhe na bëjnë të mendojmë se parashikimet tona për një rritje ekonomike për vitin 2022 në nivelin 4 % janë të qëndrueshme dhe plotësisht të arritshme. Gjithashtu dua të theksoj se politikat e ndërmarra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të synojnë uljen dhe reduktimin e borxhit publik, si dhe konsolidimin e financave publike, duke synuar një nivel borxhi me 75 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2024”.