Skënderbeu nuk ka shënuar vetëm rritje në renditjen e përgjithshme të UEFA-s, por edhe në vlerën totale të lojtarëve që sipas portalit të specializuar “Transfermarkt”, tashmë ka shkuar në 7.5 milion euro. Një shifër shumë e lartë kjo, pasi asnjëherë më parë Skënderbeu nuk ka qenë në të tilla nivele.
Skënderbeu ka lënë pas edhe ekipet e tjera të Superiores, duke pasur një përbërje 1.5 milion më të shtrenjtë se Partizani, që pozicionohet në vendin e dytë dhe që qëndron në shifrat 5.98 milionë euro. Kukësi ven në vendin e tretë me 5.5 milionë dhe Flamurtari pas tij, me 5 milionë. Rritja e vlerës së kartonit të futbollistëve është e dukshme pas fitores së fundit.
Në krye të listës qëndron mesfushori Sabjen Lilaj me 625 mijë euro dhe pas tij vjen sulmuesi Ali Soue me 550 mijë euro. Ndërsa mbrojtësi Bajram Jashanica dhe mesfushori Gavazaj kompletojnë katërshen e parë të lojtarëve më të shtrenjtë, respektivisht me 525 dhe 500 mijë euro. Shumica e lojtarëve kanë shënuar rritje, ndërsa në të njëjtat kuota kanë qëndruar Lulaj, Gripshi, Radas, Osmani, Shkodra dhe Xhejms.
Të vetmit në rënie janë Martin Nespor dhe Leonit Abazi, që për fat të keq janë të dëmtuar dhe e kanë pasur të pamundur të aktivizohen. Rritjen më të madhe të vlerës së kartonit e ka pasur Soue, i cili para disa javësh qëndronte në kuotat e 300 mijë eurove, ndërsa tani kartoni i tij ka shkuar plot 550 mijë euro. Po ashtu edhe Gavazaj ka rritur vlerën e vet me 200 mijë euro më shumë.



